Një fund i logjikshëm
Kush e ka parë deri në fund seancën e fundit të debatit parlamentar rreth ngjarjes së Gërdecit, nuk ka mbetur pa u habitur me imazhin e panatyrshëm të kryeministrit. Një njeri krejt i huaj, i largët me vite dritë nga tribuni dhe kalorësi i një mijë e një betejave që jemi mësuar rëndom të shohim. Një zyrtar i vogël që fshihet pas rregulloreve të ushtrisë, porsi një intendent reparti ushtaral, një politikan që ka harruar papritur thelbësoren e asaj që e ka ulur në atë vend – përgjegjësinë politike ndaj zgjedhësve të vet, po aq sa edhe ndaj kundërshtarëve, që sot i qeveris të gjithë bashkë. Një figurë e mpakur, e tkurrur dhe “hyrë në ujë” në harkun e pak orëve – ja çfarë ishte Sali Berisha në podiumin e Kuvendit të mërkurën e shkuar.
E ka një shkak e gjitha kjo metamorfozë spektakolare e politikanit më të fortë dhe jetëgjatë që ka njohur ky vend që nga koha e Enver Hoxhës. Dhe shkaku s’ka si të mos jetë në përpjestim të drejtë me atë që ndodhi mesditën e 15 marsit në portat e kryeqytetit. Shpërthimi i Gërdecit, bashkë me mijëra kologramët e tritolit, shkatërrimin, të vrarët, të plagosurit dhe të zhdukurit, mesa duket i ndryshoi pamjen brenda një fraksioni sekonde edhe politikës së Tiranës, duke i kthyer skifterët në pula dhe shqiponjat në pëllumba. Kush priste me shpatë nga të gjitha anët kundër korrupsionit, në emër të ndershmërisë, transparencës, një politike të ndryshme nga ajo e klaneve dhe monopoleve, kush gjëmonte tribunave e foltoreve kundër “babëzisë” dhe krimit politik – të gjithë këta burra që për tre vjet rresht bënë kohën e mirë dhe të keqe ndër ne, sot duhet ta mendojnë gjithçka nga e para. Në Gërdec u hodh në erë jo vetëm një repart ushtarak i konvertuar në një punishte korrupsioni, por mesa duket eksplodoi një herë e mirë edhe një model politik i ndërtuar mbi moton hipokrite “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”. Në krye të tre vjetëve nga ardhja në pushtet, qeverisja aktuale ka prodhuar shumë fjalë dhe pak ose aspak vepra. Incidenti tragjik i Gërdecit shënon një vijë ndarjeje të qartë, mes premtimit dhe dështimit të një qeverisjeje që s’ka mundur të prodhojë stabilitetin, begatinë dhe legjitimitetin e duhur. Sot jemi dëshmitarë sesi ata që përbetoheshin se do të ndërtonin shtetin e të drejtës, qeverisjen e “dritës së diellit”, duhet të fillojnë të gjejnë një terminologji të re, konform shkallës së tyre të korrupsionit. Një fazë e re, e cila ka nisur prej kohësh me rrugën Durrës-Kukës, apo me tenderat hileqarë dhe vjedhjet kudo nëpër trupin e administratës shqiptare.
Sot ka dështuar një model. Problemi është se ata që kanë vendosur të mos i zbresin kalit, nuk kanë një model tjetër, nuk kanë ide dhe mesa duket motivacion për të vijuar të na qeverisin, përveç frikës së lënies së pushtetit, e cila mund të prodhojë rrezikshëm pasojat që i kemi parë në të gjitha qeverisjet që kanë tentuar ta mbajnë pushtetin me çdo kusht. Gërdeci zbuloi me zhurmën e tij brutale, se nën cipën e retorikës qeveritare, flinte një oqean abuzimesh. Shumëkush i ka drejtuar sytë në këto rrethana nga drejtësia, me shpresën se ajo mund të sjellë, e vetme, atë ndryshim që politika e mpirë nuk është në gjendje ta prodhojë. Vetëm se ky impas është shumë i madh për supet e brishta të një drejtësie që vazhdon të jetë oborri i pasëm i partive. E këtu duket se mbyllet çdo mundësi që ky ekuacion të marrë një zgjidhje për të qenë.
Arkivuar nën: komente