Çfarë ka pas Kosovës?
Në një shkrim të botuar së fundi në “Panorama” kolegu Arian Çani ngrinte një pyetje shumë serioze, sipas stilit të tij të njohur provokativ. Pyetja kishte të bënte konkretisht me atë që mund të bëjnë shqiptarët e Maqedonisë në kushtet e pavarësisë së Kosovës dhe më në përgjithësi, rreth të ardhmes së tezës së shumëpërfolur të krijimit të Shqipërisë së Madhe.
Natyrshëm, problemi i shtruar në këtë mënyrë ka dy anë. Atë të problemit shqiptaro-maqedonas dhe më gjerësisht atë të një projekti panshqiptar, që deri më sot është fryrë dhe anatemuar kryesisht nisur nga interesa anti-shqiptare. Në shkrimin e tij, kur pyet se çfarë do të ndodhë tani me 800 mijë shqiptarët e Maqedonisë, Çani duket se përdor metrin më të thjeshtë – atë që lidhet me parimin e enëve komunikuese. Pra, tani që Kosova fitoi pavarësinë, të gjitha subjektet shqiptare në rajon duhet t’i nënshtrohen të njëjtës logjikë dhe të njëjtit evolucion. Kjo logjikë duket vetëm pjesërisht e saktë e racionale, pasi realiteti shqiptar në Ballkanin e sotëm nuk është as uniform e as i zgjidhshëm në bazë të formulave të dhëna një herë e mirë. Më shumë sesa për një çështje shqiptare, ndoshta është rasti të flitet për disa çështje shqiptare, të cilat luhaten nga nocioni i të drejtave kombëtare, tek të drejtat njerëzore, ato kulturore e deri tek të drejtat pronësore.
Problemi i madh që qëndron sot përballë shqiptarëve kudo në Ballkan, është se ata në fakt nuk janë “enë komunikuese”, por realitete të ndryshëm e të ndarë nga kufij, shpesh hermetikë dhe armiqësorë. Për të mos folur për shqiptarët e Malit të Zi, Serbisë apo Greqisë, rasti i shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë ndoshta më klasiku. Në vitet ’80, kur statusi i shqiptarëve në Jugosllavi filloi të merrte tatëpjetën, republika maqedonase rezultoi subjekti federativ më i ashpër ndaj shqiptarëve, të cilët ishin grupimi i tretë etnik në shkallë federate, pas serbëve dhe kroatëve. Shumëkush kujton sot sesi shtëpitë e shqiptarëve mbetën në atë kohë pa mure rrethuese, me urdhër të autoriteteve të Shkupit, me pretekstin gjoja të zbulimit më të lehtë të elementëve terroristë dhe separatistë. Kosova kishte universitetin e saj dhe një jetë sociale mjaft të spikatur në atë kohë, shqiptarët e Tetovës kishin vetëm përbuzjen e maqedonasve, të cilët, të kompleksuar siç ishin në gjirin e shtetit të madh federal, e shfrynin përbuzjen mbi shqiptarët.
Situata, me shpërbërjen e RFJ dhe krijimin e shtetit të pavarur maqedonas, ka ndryshuar mjaft. Gjithsesi jo deri në atë shkallë sa shqiptarët ta konsiderojnë veten si të barabartë me grupimin tjetër rival, atë maqedonas. Konflikti i Tetovës i disa viteve më parë dhe marrëveshja e Ohrit që pasoi, nuk e kanë lëvizur shumë statusin e shqiptarëve, megjithë praninë e rregullt të partive shqiptare në qeverisjet qendrore dhe lokale. Ka ende shumë pak shqiptarë në administratë, ushtri dhe shërbime sekrete, ka ende shumë rezervë në ngrehinën institucionale të Shkupit për avancimin e statusit të tyre. Të gjitha këto e bëjnë pozitën e sotme të shqiptarëve të Maqedonisë mjaft të pangjashme dhe të pakrahasueshme, me atë të kushërinjve të tyre në Kosovë. Nga ana tjetër, çdo projekt mëvetësie i shqiptarëve të Maqedonisë do të rezultonte jorealist dhe i rrezikshëm, në kushtet kur shtrirja demografike e zonave shqiptare në shtetin e sotëm maqedonas, ka pamjen e një lëkure leopardi, plot zona të izoluara të shpërndara aty-këtu, pa harruar çështjen e Shkupit, i cili në rastin e një konflikti që do të sillte shkëputjen e zonave shqiptare të Tetovës, do t’i mbetej Maqedonisë, megjithë popullsinë shqiptare mjaft të madhe që jeton në këtë qytet. Këto llogari, të cilat bëhen prej vitesh nën zë në ambientin shqiptar, janë veçanërisht sugjestionuese sot, kur Kosova është e pavarur. Por jo për këtë arsye, ato janë sot më të realizueshme sesa ishin dje. Maqedonia është një shtet i krijuar si pasojë e një vullneti që buron jashtë këtij rajoni. Ajo është një konvencion që garanton sot ekuilibra mjaft delikatë brenda dhe jashtë Ballkanit. Për pasojë, prekja e këtij shteti ende pa emër, është diçka që i tejkalon fuqitë e shqiptarëve që jetojnë aty ose në vendet përreth.
Nga ana tjetër, vetë ideja e ekspansionit shqiptar në Ballkan, ndoshta do të pësojë një frenim të fortë pas 17 shkurtit. Duket paradoksale, por mund të jetë vërtet kështu. Kjo sepse tashmë që shqiptarët morën një kompensim të madh historik për përpjekjet e tyre afirmuese, do të duhet që t’i bëhen lëshime të reja palës tjetër, përkatësisht serbëve dhe të tjerëve në rajon, që e shohin si të rrezikshëm këtë ndryshim kufijsh në mes të Evropës. Mund të ndodhemi në pragun e një stine dashurie, fillimisht të njëanshme të komunitetit ndërkombëtar ndaj Serbisë, një lëvizje që synon të afirmojë idenë e diskriminimit pozitiv për serbët në Kosovë (pra të fryrjes artificiale të të drejtave të tyre), si dhe të joshë Serbinë e Rusinë e zemëruar. Kjo është loja tradicionale e Perëndimit në këtë pjesë të kontinentit, kjo mund të jetë faqja tjetër e monedhës së pavarësisë së Kosovës.
Në këto kushte, popullsitë shqiptare të shpërndara në Mal të Zi, Maqedoni, Serbinë Lindore apo edhe në Greqi, do të duhet të pajtohen me idenë se lindja e një shteti të dytë shqiptar në Ballkan mund të ketë ndodhur me çmimin e lënies në harresë (të paktën përkohësisht) të pozitës dhe të drejtave të tyre. Si në çdo transaksion, dhe Kosova ka qenë në fakt një i tillë, ka një kompromis në themel të gjithçkaje, ku jo të gjithë dalin të kënaqur. Megjithatë ndoshta ne shqiptarët duhet të mjaftohemi sot me shtetin e ri të Kosovës. Për pjesën që mbetet, le t’i lëmë kohë kohës. Ashtu siç bëmë edhe me vetë Kosovën për dhjetëra vjet
Arkivuar nën: komente