Mallkimi që na vjen në mars
Më 14 mars, megjithëse punoj në Elbasan dhe jetoj në Tiranë, nuk isha as në Elbasan dhe nuk u gëzova as me festën e Ditës së Verës që, ashtu e shpëlarë e pa ngjyrë, festohet edhe në Tiranë. Më 15 mars, isha në Universitet në Elbasan dhe në komentet e pakta për ballakumet e festën e Ditës së Verës, po diskutonim edhe për tortën e famshme që disa punishtarë të Elbasanit kishin ndërtuar me fytyrën e Sali Berishës. Në humor e sipër po kujtonim edhe barsoletat që qarkullonin në kohën e diktaturës, por po flisnim edhe për indiferencën tipike të elbasanlinjve për politikën. Në këto e sipër mësuam lajmin për shpërthimin në Gërdec. Në fakt, askush nuk u kujtua të thoshte se ajo tortë me fytyrën e S.Berishës kishte sjellë fatkeqësi, kishte qenë një ogur i keq, natyrisht, askush. Më pas, shumë më vonë, u kujtova se muaji mars qenka shënuar në kalendarin enigmatik, apo në mitologjinë e shqiptarëve, si muaji që sjell fatkeqësi.
Në një nga ato ditët me shi që pasuan tragjedinë i telefonova Kadaresë, që ndodhet në Tiranë, për të fiksuar takimin që do të zhvillonim me rastin e Kolokuiumit Ndërkombëtar që do të mbahet për të në Universitetin Paris X Nanterre, Francë, ku do të marr pjesë edhe unë. E dija që ishte momenti më i papërshtatshëm për këtë takim, por, meqenëse e kishim lënë që të flisnim, formova numrin. Nga ana tjetër, zëri i tij thuajse ishte si i shuar. M’u duk se vuante nga një peshë faji e pashpjegueshme, ndoshta ngaqë e ndiente veten fajtor pse kishte zgjedhur muajin mars që të vinte në Tiranë. I kujtova romanin e tij “Lulet e ftohta të marsit” dhe parandjenjën e tij për këtë muaj. Ai, ashtu i përhumbur, m’u përgjigj se ndjehej ende i tronditur, por më tha se i kishte lënë një shije të pështirë festa që parapriu tragjedinë. E lamë që të takoheshim një ditë tjetër. Ndërkaq ditët rridhnin me ritmin fatal të një morti dhe askush nuk mund të thoshte se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Ndërsa mua mendja më kishte mbetur te ky muaj, te muaji mars dhe, ashtu si në ëndërr, më vinte në mendje thënia “Shkurti shkurton urët, marsi mbledh lëkurët” që, në imazhin kolektiv, i vishte marsit një tis vdekjeje.
Nuk e di pse m’u kujtuan edhe “plakat”, tri ditët e ftohta të këtij muaji, që janë ngulitur në vetëdijen kolektive si mendjelehtësia fatale e një plake që dogji rrobat e dimrit dhe u nis për verim në mal, pastaj hakmarrja e marsit, që i merr borxh një ditë vëllait të vet, muajit prill, dhe e ngrin plakën me gjithë çka, siç thotë rrëfimi. Nga të gjitha rrëfenjat primitive kjo më është dukur më e bukura, sepse shënjon me një ironi të hollë, mendjelehtësinë dhe shkujdesjen tipike shqiptare. Natyrisht që, në gjithë këtë përsiatje për muajin mars, apo për fatalitetin e tij, nuk mund të gjesh asnjë gjë të përbashkët me atë që ndodhi më 15 mars. E vetmja gjë që mund të hetohet është mendjelehtësia dhe krimi. Përfundimisht, ne duhet të bindemi të gjithë se jemi mendjelehtë, se në krye zgjedhim me mendjelehtësinë më të madhe njerëzit më mendjelehtë sesa ne, se lemë hapësirë pa fund për hienat e kriminelët që zotërojnë sot miliona e miliona, duke qenë klientët standardë të shtetit tonë mendjelehtë. Sot mund të zbulohen afera pa fund kriminale, mafioze dhe të tjera mund të zbulohen në të ardhmen, por kjo nuk zgjidh asgjë për sa kohë që ne jemi mendjelehtë dhe zgjedhim njerëz që të na drejtojnë, ata që janë më mendjelehtë se ne të gjithë. Kështu, ne do të vazhdojmë të zbavitemi në festa pagane dhe do të zdërhallemi në gëzime pa kuptim, për të përgatitur pastaj skandale të tjera, sepse Shqipëria, në këta 17 vjet dhe sidomos qeveria e Sali Berishës në këta tre vjet e gjysmë, e kalçifikoi mafien.
Shpeshherë me miqtë e mi brenda vendit, apo edhe me ata që vijnë nga jashtë, kur më pyesin se a vazhdon të jetë e korruptuar edhe qeveria e re, i marr me vete dhe udhëtojmë deri në Elbasan. Kjo rrugë është vetëm një shenjë e megakorrupsionit aktual. Pse? Ka tre vjet që mbi këtë rrugë janë hedhur miliarda lekë për ta riparuar dhe pas tri vjetësh ajo i ngjan rrugës që lidh Kabulin me Kandaharin.
Unë kam pesë vjet që e bëj këtë rrugë, por asnjëherë tjetër më shumë sesa në këta tre vjet ajo nuk është shkatërruar si tani. Dhe të mendosh se vetëm para gjashtë muajsh, Ndërmarrja e Rruga Urës dhe Mirëmbajtjes së Elbasanit ka marrë një fond prej mbi 600 milionë lekësh të reja për ta… shkatërruar. Se çfarë ka bërë ajo me këto para këtë ndoshta e di vetëm Berisha, i cili kur shkoi në Elbasan më 14 Mars për të prerë tortën me fytyrën e tij, e nuk u kujtua të pyesë se si ka mundësi që kjo rrugë është në këtë gjendje.
Ndërsa rruga e Saukut, që ka një vit që ka filluar dhe nuk po përfundon, është një histori më vete. Nuk e di sa mallkime merr kjo qeveri nga ata që udhëtojnë me makinë nga zona verilindore e nga Elbasani për të ardhur në Tiranë, por megjithatë, nuk ndodh asgjë, sepse ne jemi mendjelehtë dhe në muajin Mars nuk tregohemi të kujdesshëm. Tani ndoshta duhet të shtojmë në vetëdijen dhe në imazhin kolektiv, përqasjen e plakës mendjelehtë të rrëfimit mitologjik, me fytyrën e Sali Berishës, tani, këtej e tutje, duhet t’u tregojmë atyre që do të vijnë pas nesh, se “plakat” e marsit, tri ditët e ftohta, ose hakmarrja e marsit për plakën, ka në themel edhe një përmasë tjetër: është hakmarrja për një mendjelehtë tjetër që ne e kemi zgjedhur dhe i kemi besuar, ndërsa ai nuk djeg rrobat e trupit si plaka e rrëfimit, por djeg njerëz, ngaqë është mendjelehtë si plaka e rrëfimit.
Ndaj, sa herë që vjen muaji Mars duhet të kujtohemi se ky muaj ka gjithmonë një mallkim për ne, për sa kohë që kemi në krye atë që në vetëdijen tonë kolektive, këtej e tutje, do të njëjtësohet me plakat dhe me tortën e punuar në Elbasan.
Arkivuar nën: komente