Shqipërisë i duhen BURRA SHTETI e jo aventurierë e gangsterë politikë.
Shqipëria sot përjeton krizën më të rëndë të autoritetit. Vendin e burrave të shtetit e kanë rrëmbyer xhuxhmaxhuxhët politik, të ç’ekuilibruarit, amoralët, të korruptuarit, të ngriturit në majën e piramidës jo sipas “meritokracisë” që proklamon Berisha, por sipas shkërdhatokracisë që satirizon Agolli.
Vendi ynë, pikërisht në këtë moment historik, ndjen nevojën e domosdoshmërisë për një BURRË SHTETI të përmasave të mëdha. Po, duke perifrazuar Hamletin e Shekspirit, këtu puna ngec. Nga mosnjohja e vetvetes, shumica e politikanëve të sotëm, synojnë majën, kur maja është vetëm një. Deliri i madhështisë së marrëzisë, si një sëmundje ngjitëse po përhap epideminë e ngritjes së mitit të vetvetes. Në këtë garë të padukshme merr pjesë klasa politike: edhe ai që di, edhe ai që s’di, i afti dhe i paafti, i korruptuari dhe mafiozi, ku shumica përbëhen prej mediokërisë.
Nga mosnjohja e vetvetes, çdo njëri prej këtij soji, mendon se është Njëshi. Paradoksi dhe absurdi, amoraliteti dhe anormaliteti, mediokriteti dhe miti i vetvetes përbëjnë një realitet. Sikur të gjithë politikanët të votonin në mënyrë të fshehtë për presidentin e vendit, do të ngjiste fenomeni më i çuditshëm dhe absurd siç ndodhi më 1997 në Akademinë e Arteve, ku në votimet për një drejtor departamenti, që merrnin pjesë gjithsej tetë votues, secili prej tyre kishte fituar një votë. Çdo koment do të ishte i tepërt.
Një dukuri e tillë kur shfaqet në jetën politike të një vendi është më tepër se dhimbje, se dramë, se tragjedi, se fatkeqësi,- është fatalitet. Etja karrieriste për pushtet, për majën e piramidës, kur këtë e lakmojnë të tërë, të diturit dhe të paditurit, madje kur në skalionin e parë janë aventurierët politik dhe të korruptuarirt, është tragjedia më e madhe e një populli që kërkon të ndërtojë lumturinë e vet. Asnjë popull nuk mund të përparojë nëse në krye të strukturave të organizimit dhe drejtimit të tij, nuk vihen burra shteti. Mungesa e këtyre burrave në drejtimin e vendit, përbën krizën më të rëndë të autoritetit. Prej saj rrjedhin krizat e tjera: politike, ekonomike, sociale dhe morale. Tabloja është sa e zymtë aq dhe e trishtuar, sa e mjegullt aq dhe e sofistikuar, sa e dukshme aq dhe e padukshme. Janë pikërisht karrieristët dhe aventurierët që deliri i madhështisë i çon në marrëzi, në mbjelljen e urrejtjes midis bashkëkombasve, në konflikte e armiqësi, duke braktisur dashurinë,- gurin e themelit të shoqërisë.
…
Kriza totale që ka pushtuar aktualisht vendin dhe popullin tonë, është rrjedhojë e krizës së autoritetit, e mungesës së një klase politike të aftë dhe me mentalitet të ri, që të përbëhet prej burrash shteti që kanë ideale të larta kombëtare, demokratike dhe progresiste. Pikërisht mungesa e kësaj klase, ka sjellë si spasojë që jeta e shqiptarit të varet në cergën e hollë që endet mbi flladin e beharit, siç thotë një personazh i Shekspirit: gdhihesh dhe s’din a ngrysesh, del prej shtëpisë dhe s’din a kthehesh i gjallë, nisesh për një udhë dhe mund të përfundosh në kurthin e zi të asgjesimit nga maskat
Tragjike jeta e shqiptarit: me të qara lindja, me të qara vdekja, në mes lindjes dhe vdekjes – një kurbë e gjatë me ankthe, drama, vuajtje, trishtime.Gangsterët politikë që kanë zënë vendin e burrave të shtetit, po ndërtojnë një shoqëri xhungël; tabloja është sa tragjike aq dhe e pashpresë. Vritet njeriu në mes të ditës, në qendër të kryeqytetit; mjerimi ka hyrë në palcën e të varfërve; varfëria është bërë pronë e të ndershmëve; pasuria pronë e të korruptuarve dhe kontrabandistëve;shpresat janë vrarë;truri i kombit çdo ditë arratiset nëpër botë. Siç ka nisur këtu do të mbeten mediokërit për të mos thënë budallenjtë; se, dhe rinia po vrapon udhëve të trishtuara të kurbetit; edhe studentët që mbarojnë shkollat e larta i sheh në dyert e ambasadave duke ndjekur pas falsifikatorit e vizave; pensionistët luajnë domino dhe hanë një copë bukë me djathë, kur kufomat e diktaturës komuniste që i ligjëroi regjimi i Fatos Nanos, thërrasin nëpër salla të mbyllura: “Enver Hoxha tungjatjeta”.Ndërsa ata që merren me drogë e pisllëqe përbëjnë shtresën e të pasurve.
Nga një gjendje e tillë, çdo qeveri demokratike do të jepte dorëheqjen. Vetëm qeveritë mafioze vazhdojnë udhën e pangopësisë së tyre, gjersa t’u ngelet në fyt kocka e madhe.
…
Kushdo që jeton në Shqipëri dhe e sheh të vërtetën në sy nga një pozicion i lirë dhe jo nga skllavëria ideologjike partiake, nuk ka si të mos e dallojë kaosin e madh, mjegullnajën, anormalitetin, perversitetin, venitjen e shpresës dhe katastrofën që po afron. Arturo Uitë e kohës sonë, po lozin vallen makabre të madhështisë së marrëzisë, nën tamtamet e korrupsionit, të kontrabandës dhe mafiozitetit, kur mjerimi është ulur këmbëkryq në sofrën shqiptare, kur ekzistenca është vënë në pikëpyetje, kur pasiguaria është bërë mbret, kur më tepër vepron vetëgjyqësia dhe mendësitë komuniste partiake sesa ligji.
…
Nuk luftohet korrupsioni me slogane, deklarata, konferenca shtypi, dhe, sidomos me komisione kur në krye të tyre vihen më të përfolurit. Madje edhe akuzat e tipit të përgjithshëm, pa fakte konkrete, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shumë zhurmë për asgjë.
Vetë kryeministri pranon se jemi zhytur në korrupsion, ndonëse na e la peshqesh PS, thotë, megjithatë asnjë kallëzim për ndjekje penale,as për ish ministrat e PS, as për ministrat e kabinetit të tij, përkundrazi mbështetje e mbrojtje e ministrit Basha, ,Mediu etj..etj, më të përfolurit për korrupsion. Përse kjo mjegullnajë? Kujt i intereson errësira?
…
Është e vërtetë se lufta me të korruptuarit është ndër luftrat më të vështira për shkak të fshehtësisë, tjetërsimit, mistifikimit mafiozitetit dhe rrezikshmërisë, mirëpo shteti që i thotë vetes shtet, merr përsipër gjithçka, ndryshe dorëzon çelsat. Përpara kësaj alternative ndodhet kryeministri Berishame stafin e vet. Por ata akoma nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, akoma operojnë me praktika të vjetra komuniste: shumë zhurmë për asgjë, që tashmë s’pinë ujë, kur duhen hapa konkret, një ndër të cilët do të ishte deklarimi i pasurisë seriozisht nga pushtetarët. Po as dje, nuk u bë, as sot nuk po bëhet.
Arkivuar nën: lajme