Pas NATO-s, do na mërziten “Burrat e Shtetit”?!…

emiljano-aleksi4.jpg 

Që Shqipëria do të marrë ftesën për në  NATO, kjo tashmë duket e dekonspiruar nga fryma që ndihet si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Por, për ata naivë që e kuptojnë këtë hop të madh të Shqipërisë në planin politik (se atij ushtarak i’a pamë hajrin me Gërdecin) vetëm si një firmë në letër dhe sukses të vetin, besoj se do të jetë një zhgënjim i madh. Do të jetë zhgënjim, pasi do të ndryshojnë shumë gjëra pas këtij akti formal. Sepse pikërisht pas këtij akti, pra firmosjes për marrjen e ftesës, do të fillojnë andrallat për shumë nga politikanët që e kanë parë politikën si “pronë” private apo si ndonjë shoqatë joqeveritare në të cilën themeluesi i saj vepron në mënyrë të pavarur dhe gjithë politikën dhe fondet që e mbështesin, i menaxhon me tre-katër anëtarë të bordit të shoqatës, ku absolutisht janë të afërmit apo të njohurit e tij të besuar. Jo rastësisht përmendëm stilin e një OJF, pasi jo pak, edhe disa nga partitë e mëdha shqiptare shëmbëllejnë me një OJF (nuk po flasim për të voglat joparlamentare, të cilat janë “motra” me një OJF)!
* * *
Do të na mërziten të parët “demontuesit e armëve”. Ata kanë “arsye” pse të jenë të mërzitur pas pranimit të Shqipërisë në NATO. Nuk është e vështirë të kuptohet pse-ja. Do të mërziten sepse nuk do të munden t’i trajtojnë më armët e municionet si të ishin portokalle, por si armë që mund të shpërthejnë e të bëjnë gjëmën (siç e bënë në Gërdec, për shembull). Do të mërziten se përveç kësaj, nuk do të mund të fitojnë pasuri mbi mundin, djersën e gjakun deri edhe të fëmijëve, pasi paskëtaj monitorimi dhe asistenca, detyrimet gjithashtu, do të jenë thellësisht të monitorueshme. Nga NATO-ja!
Pra, gjithë sistemi i çarmatimit do të jetë një proces mbi standarde të sigurta në të gjithë përbërësit e tij, ndaj demontuesit e tanishëm nuk do të jenë fort të kënaqur. Po s’ka gjë fundja, sepse do të kënaqen të gjithë të tjerët, do të ndihen të sigurt!
* * *
“Burrat e Shtetit” (nëse ka ndonjë të tillë ky vend) do të jenë ata që nuk se do të jenë fort të gëzuar. Paradoks? Po, pikërisht për këtë Shqipëria ka mbetur në tranzicion rreth dy dekada që nga fillimi i shembjes së komunizmit dhe ngritja e një sistemi të ri politiko-shoqëror, demokracisë. Në këto vite, Shqipëria ka bërë mjaft hapa para, po kaq sa shumë herë ka qenë në pikë të greminës. Kjo ka ardhur pikërisht nga politika, nga amatorizmi, fudullëku, bajraktarizmi e plot cilësi apo vese të tjera politikanësh, qëndrimi antidemokratik i të cilëve ka degjeneruar gjer në violencë mes njerëzve të këtij vendi.
Me hyrjen në NATO, këta politikanë, këta “Burra Shteti” do të duhet të sillen ndryshe. Nuk do të mund të sillen më si bajraktarë që e konsiderojnë popullin si një “ofiq” të tyre. Nuk do të mund të vjedhin pasurinë kombëtare. Nuk do të mund të flasin kuturu e të vjedhin lirinë e qytetarit. Nuk do të mund të bëjnë ligje kundër interesave të publikut apo kundër lirisë së tregut…
…Sepse monitorohen ngado, kudo, kurdoherë. Këta lloj politikanësh do të jenë në dilemën e madhe të karakterit: të sillen tash e tutje si “burra shteti”, apo të tregojnë se sa “burrecë” paskan qenë.
Do t’i shohim shumë shpejt me emrin e tyre të vërtetë.

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.