Kushtetuta, masakra e Gërdecit dhe Presidenti i Republikës

emiljano-aleksi5.jpg 

 Në mes të së shtunës së 15 marsit, populli shqiptar pa me llahtar se si disa megaton municion u hodhën në erë dhe dhunuan jetën dhe pronën e banorëve të fshatrave Gërdec, Marqinet, Muçaj e Vorë. 
U bë dy javë nga ajo masakër dhe në shtyp e televizione lexohet, shikohet e dëgjohet se si të ashtuquajturit politikanë të Shqipërisë janë rreshtuar në llogoret e tyre mesjetare bashkë me taboret e shpurave zagare. Politikanët i vërsulen njëri-tjetrit si hajdutët mesjetarë a modernë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kriminale, që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronës në Shqipëri, në favor të atyre që janë në pushtet. Publiku rri e ndjek shfaqjet e tyre. Populli i Gërdecit ka pesëmbëdhjetë ditë pa drita e pa radio, televizion e gazeta. Populli i Gërdecit e i Shqipërisë nuk di se çfarë do të bëhet për kthimin e jetës në normalitet dhe nuk di se kur janë afatet për plotësimin e kësaj detyre kushtetuese, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në atë zonë. Langojtë dhe zagarët gjithfarësh, mediatikë dhe shpura të ngjyrosura gjoja politike, nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse përforcojnë avazin e atyre, prej të cilëve presin ndonjë kockë në formë pronash, evazioni fiskal, mbulim krimesh, a vende pune ose detyre partiake. Hipokrizia vrasëse qeverisëse është shndërruar në pseudo-sulme parlamentare, në pseudo-hetime, në para të nxjerra për mbulimin a zvogëlimin e masakrës së llahtarshme. Në Borovën martire, në tetor 1943, nazistët dogjën 100 shtëpi dhe vranë 107 njerëz. Në Gërdec, deri tani nuk dihet numri i të vrarëve dhe nuk është i besueshëm numri i mbi të treqind të plagosurve; janë mijëra shtëpi të shkatërruara e të dëmtuara. Janë mijëra njerëz pa shtëpi, pa punë e pa katandi. Janë mijëra gjëra që nuk i dimë mirë, se zëri qytetar është shuar nga ata që janë të interesuar të mbulojnë provat e dhunimit të të drejtave të njeriut për jetën, pronën dhe mjedisin, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbrojtës i të cilave është Presidenti i Republikës.
Neni 88 i Kushtetutës :
3…. Presidenti bën këtë betim: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”.
Presidenti i Republikës duhet të vërë re se, në masakrën e Gërdecit janë dhunuar të drejtat e njeriut, me pasojë të vdekur, të humbur, të plagosur dhe shkatërrim pronash e mjedisi, të mbrojtura nga neni 15 i Kushtetutës.
Neni 15 i Kushtetutës:
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.
Gjithashtu, presidenti i Republikës, pa dhe dëgjoi dëshmitarë mediatikë, se në masakrën e Gërdecit vdiqën, u plagosën e u shfrytëzuan në punë fëmijë.
Neni 54 i Kushtetutës:
3. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë… që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij moral.
Presidenti i Republikës, në zbatim të detyrave të tij të përcaktuara nga neni 92, pika h e Kushtetutës, ka për detyrë të kërkojë mendim dhe të dhëna nga Kryeministri i Shqipërisë, në cilësinë e këtij të fundit si drejtues i institucionit shtetëror të Kryeministrisë, për çështje që kanë të bëjnë me detyrën e Kryeministrit, të përcaktuar në nenin 102, pika c e Kushtetutës, në lidhje me sigurimin e zbatimit të legjislacionit të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për asgjësimin dhe shitjen e municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë..
Neni 92 i Kushtetutës:
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca :
c) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.
Neni 102 i Kushtetutës :
1. Kryeministri :
c) Siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 15 i Kushtetutës :
2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si edhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
Deri më sot, unë nuk e kam dëgjuar Presidentin e vendit tim, të flasë publikisht në bazë të nenit 15 të Kushtetutës, mbi të drejtat e dhunuara të njeriut në masakrën e Gërdecit, si edhe në bazë të nenit 92 pika c, për kërkim mendimi dhe të dhënash me shkrim nga Kryeministri i Shqipërisë, për sigurimin e zbatimit të legjislacionit që ka lidhje me masakrën e Gërdecit.
Gjithsesi, i uroj punë të mbarë Presidentit, në zbatim të detyrave të tij kushtetuese.

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.