Qytetari i NATO-s
Tani kam shansin të flas, mendoj e shkruaj si qytetar i NATO-s. Mbase më ngjit më shumë fjala se deri më sot, se si qytetar i Shqipërisë askush nuk e ka çarë kokën. Mbase me dëgjojnë më mirë shtetarët e vendit tim, që vetëm gënjejnë dhe tregojnë përralla me reforma. Nuk e di?! Mbase!
Si qytetar i NATO-s kam të drejtë themelore të jem i sigurt. Mirëpo puna është se aq i pasigurt ndjeshëm sa nuk e di a jam qytetar i NATO-s. Jam i pasigurt si nga krimi i rrugës, ashtu edhe nga krimi shtetëror. E përjetova këtë pasiguri me gjithë familjen time ditën e shpërthimit, kur po kaloja aty pranë. Jam akoma më i pasigurt, sepse Presidenti dhe Kryeministri i vendit tim gënjejnë më shumë se sa kanë kokën, sa herë që u jepet rasti, mëngjes-drekë-darkë. Ditën dhe natën. Para dhe pas buke. Si e ku t‘u vijë! Turp më të madh nuk ka. Në fakt, nuk e di a duhet të kenë turp qytetarët e NATO-s?! Mos ndoshta e kam unë gabim! Mbase kur je në NATO gënjehet!
Prona ime (pra, e qytetarit të NATO-s) është e pasigurt, sepse po shqyhet nga reforma agrare e ALUIZNI-t. Shteti im është latifondist i madh i pronës sime dhe i pronave të gjithë të tjerëve si unë. Ai nuk më jep as një copë letër për të provuar që unë, qytetari i NATO-s, e kam një dreq shtëpie apo prone në këtë vend të NATO-s.
Me shëndetin kam kohë që kam hyrë në NATO, sepse prej disa vitesh kurohem në një vend të vjetër të saj. Më besoni, të kurojnë më mirë spitalet e NATO-s, sesa të NDOKËS.
Nejse, t‘i lëmë këto privilegje e të kthehemi te shteti im gënjeshtar, tashmë në NATO. U kënaqa shumë kur pashë Kryeministrin tim, i cili kur erdhi nga NATO (samiti) gjeti një Shqipëri tjetër. Ndoshta ngaqë erdhi natën. Paska qenë e thjeshtë kjo punë, - thashë me vete, - ti çon Presidentin dhe Kryeministrin të takojnë Bushin, dhe sa hap e mbyll sytë, vendi ndryshon. Meqë qenka kështu puna, them se do ishte me mirë që të dy të rrinë me Bushin, që të ndryshojë sa më shumë Shqipëria. Në fakt, nuk kanë faj udhëheqësit e shtetit, sepse shumë prej nesh e dimë që NATO është aleanca e veriorëve, si e tillë nuk ka sesi të mos anëtarësojë Kryeministrin tonë nga Veriu.
Unë e di që kur je në NATO protestohet, apo jo? Po si ka mundësi që qytetarët e Vlorës arrestohen dhe mbahen në burg jashtë çdo ligji të NATO-s? Ndoshta meqë këto janë nga jugu dhe nuk i mbulon NATO! Por mirë që nuk i mbulon, pse i arreston?
Si qytetar i NATO-s, më në fund më ka ardhur radha të merrem pak edhe me Bushin. Nuk kam këllqe ta kritikoj, se mua shteti im më paguan me lek, pra me monedhën më të fortë të shekullit, siç tha Kryeministri im para do kohësh. Nejse, nja dy fjalë nuk mund të rri pa ia thënë edhe Bushit. Si qytetar i NATO-s, ky Bushi s‘më pëlqen fare, sepse ka do kohë që është bërë palë me gënjeshtrat lokale të shtetarëve të mi. Jam i bindur se as bashkëqytetarët e mi amerikanë nuk pajtohen me gënjeshtrën dhe korrupsionin. Kështu që, kjo që po them unë është legjitime. Megjithëse edhe ai e di fort mirë që këta tanët gënjejnë dhe janë të korruptuar. Zaten nuk shpjegohet ndryshe tallja e menderes, kur foli vetë Kryeministri im.
Tashmë të gjithë duhet të ndryshojmë. Kur ishim shqiptarë na mësonin se “zëri i gomarit nuk shkon në qiell”. Tani të shpresojmë se si qytetarë të NATO-s do na dëgjojnë pak më shumë këta shtetarët tanë. Ndryshe, do të vazhdojmë të jemi shteti i gomerëve m‘u në mes të NATO-s.
Arkivuar nën: komente