Himara dhe kodi i ri elektoral

 emiljano-a.JPG

 Një incident nga ata që shihen rëndom në të gjitha rrugët e cepat e këtij vendi, i ka dhënë jetë para pak ditësh në Himarën e qetë dhe të harruar, një furtune të vogël diplomatike. Përplasja mes policisë dhe dy banorëve, nuk do të kishte tërhequr vëmendjen ndoshta në asnjë qytet apo fshat të këtij vendi. Nuk ka ndodhur kështu në buzë të Jonit, aty ku prej kohësh ka një tendencë të habitshme për t’i dhënë çdo ngjarjeje një sfond përplasjeje …etnike, si dhe për të gjetur pretekste për të afishuar “autonomi” nga Tirana, apo kërkesa të tjera të këtij lloji. Dje në Kuvendin e Shqipërisë, Spartak Ngjela, kërkoi shkarkimin dhe penalizimin e kryebashkiakut të Himarës. Një qëndrim që nuk duhej të ishte vetëm reagimi sporadik i një apo dy deputetësh, por një pozicion unanim i një institucioni të lartë, siç është Parlamenti, kur bëhet fjalë për të dhunuar rendin kushtetues. Kështu të paktën na mësojnë “në letër” ata që dje dhe sot heshtin për turpin e tyre.
Himara, në fakt, është vetëm një qytet i vogël, që vështirë se do të shërbente për të ndërtuar tipologji dhe skema logjike apo edhe politike në skakierën kombëtare. E megjithatë ja që ndodh edhe kështu. Ja që Himara kthehet, kur rrethanat e lejojnë (dhe të tilla ka më shumë se një apo dy), në një mollë sherri të çuditshme, të sforcuar dhe të fryrë deri në absurd. Ky qytet krejt anonim për nga pesha, numri i banorëve dhe jeta ekonomike e sociale, ky stacion autobusësh që shkojnë drejt Sarandës, i cili nëntë muaj në vit është thuajse i shkretë, ka kohë që është kthyer në një pikë të nxehtë politike dhe diplomatike. Dhe arsyet janë të qarta, të brendshme dhe të jashtme. Ato arsye nuk ndodhen domosdoshmërish në Himarë, as dalin apo ideohen prej saj. Ato ndodhen, e dinë të gjithë, sa në Tiranë, aq edhe në Athinë.
Ka një parti politike në Shqipëri, për të cilën duket se nuk funksionon kodi i rreshtimit sipas krahëve dhe ai i programeve politike. Kjo parti ka një qëllim të vetëm, çuditërisht të pranuar si moralisht korrekt, nga të gjithë aktorët e mëdhenj politikë: ky qëllim ka të bëjë me qëndrimin me çdo kusht të saj në qeverisje. PBDNJ, një parti që nën emërtimin hipokrit të të drejtave të njeriut, kamuflon dhe përfaqëson interesa të caktuara etnike, duket se është e përkëdhelura e të gjitha qeverive, e të gjitha maxhorancave, e të gjitha kohërave dhe epokave. Një parti e predestinuar për të pasur një portofol ministror, që në ditën e parë pas zgjedhjeve, atëherë kur askush nuk e ka të qartë ende se ç’formë do të ketë kabineti qeveritar i fitimtarëve të zgjedhjeve.
Nuk përbën sekret fakti që kjo forcë, ky sharm, kjo tërheqje fatale për PD dhe PS (sot kjo parti drejton me një person thuajse anonim, njërën ndër ministritë financiarisht më të fuqishme të shtetit), buron nga fakti i thjeshtë i imponimit aspak elegant që fqinji ynë jugor ka bërë ndaj politikës tonë me kartën PBDNJ, si një parti që duhet të jetë me çdo kusht në qeveritë shqiptare, majtas dhe djathtas. Madje, me një imunitet zyrtar që zbret deri tek të zgjedhurit e saj lokalë, siç është rasti i kryebashkiakut të Himarës, një person që më shumë sesa me kanalizimet e qytetit të tij, merret rregullisht me politikën minoritare në kuadër “global”.
A do të ketë një rregullim të gjërave në kodin e ri elektoral që përgatitet të votohet, edhe për këtë segment të harkut tonë politik? A do t’i jepet fund nga dy partitë e mëdha, aleancave skandaloze kundër njëra-tjetrës në zona si Himara, ku gjithmonë kanë humbur të gjithë, përveç PBDNJ-së? A do të vijë dikur dita që një qeveri shqiptare të quhet politikisht korrekte, edhe kur brenda saj të mos jetë një ministër i PBDNJ-së? Kodi i ri elektoral, ashtu siç duket se do të marrë formë, do ta bëjë tejet të vështirë, edhe për partinë e zotit Dule, që të mbijetojë në Kuvendin e ardhshëm. Mbetet të shihet nëse PD e PS do të evitojnë, siç thuhet se po bëjnë në këto orë, akrobacitë dhe gjetjet e orës së fundit, për t’i siguruar edhe një herë artificialisht mbijetesën një force politike që, ashtu si të tjerat, ka jetuar këto vite me “rentën” që u ka marrë të mëdhenjve.
Jetojmë në një periudhë qeverisjeje në Shqipëri, e cila duket veçanërisht e kujdesshme, e madje pasive, ndaj problematikës së nxehtë të marrëdhënieve me Greqinë. Ashtu siç u pa edhe gjatë vizitës së ministres Bakojani në Tiranë, apo pak orë më parë gjatë udhëtimit të dyshimtë të zëvendësit të saj në Himarën e tensionuar artificialisht, diplomacia jonë belbëzon në vend që të flasë për çështje që, në fakt, kanë kërkuar dhe kërkojnë një qëndrim nga ana e shtetit shqiptar. Ashtu siç është thënë edhe më parë, Tirana zyrtare duket tejet e zbutur ndaj fqinjit jugor, nga momenti që me fqinjin perëndimor, Italinë, marrëdhëniet politike janë thuajse zero. Nuk do të ishte normale që ky skenar rajonal të influenconte drejtpërdrejt, siç ka ndodhur rëndom këto 18 vjet, edhe skenën tonë politike. Megjithatë, mesa duket çdo gjë mund të ndodhë me këtë vend, megjithëse ka kaluar tashmë derën e NATO-s.

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.