Boll, Bollano!

 zapata.JPG

Ndjeshmëria e një deputeti të vetëm të Parlamentit shqiptar (nuk ka rëndësi i cilës ngjyrë politike është) bëri atë që disa seanca të mëparshme të Kuvendit të Shqipërisë, apo edhe me dhjetëra deklarata politikanësh tanë nuk e kishin bërë dot: Zgjoi vetëdijen tonë kombëtare për tragjedinë çame. Forma e zgjedhur ishte sa njerëzore, aq edhe fisnike: Një lutje e përbashkët, një përkujtim, një përshpirtje për të sakrifikuarit e racizmit fqinj. E megjithatë, edhe pse kjo formë ishte sa e butë aq dhe fetare, ajo polli refuzim nga ana e drejtuesit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Kryepeshkopit Janullatos. E përse u krye pak ditë më parë kjo lutje e përbashkët? Për një martirizim kolektiv të 4.250 fëmijëve, grave, pleqve dhe burrave 62 vite më parë, krimi i vetëm i të cilëve ishte të qenit shqiptarë. Nuk duhet të harrojmë se më datën 11 shtator 2001, në sulmet terroriste kundër dy kullave binjake në Nju-Jork dhe kundër Pentagonit në Uashington vdiqën 3 mijë e shtatëqind veta. Nga i gjithë kombi amerikan, kjo ditë konsiderohet si një tragjedi kombëtare, më e madhja pas masakrës së Pearl Harbur në ishujt Havai në vitin 1942, kur forcat e marinës amerikane u sulmuan në mënyrë të pabesë nga forcat ajrore japoneze, pa u shpallur luftë. Të dyja masakrat, ajo e 63 viteve më parë dhe ajo e shtatë viteve më parë, në numër jetësh të humbura janë secila më pak sesa tragjedia jonë e 27 qershorit 1945 në trojet çame në Greqi (vrasja e mijëra çamëve nga bandat e Napoleon Zerves).

Amerikanët i sjellin në mendje me plot të drejtë humbjet e tyre kombëtare dhe i kanë madje ditë zie kombëtare e përkujtimi masiv. Po ashtu prodhojnë filma kolosalë, dhjetëra dokumentarë e qindra libra historie apo përmbledhje dëshmish të të mbijetuarve. Po ne? Për rreth 62 vjet “po prodhojmë” gati një shurdhëri të plotë nga shteti shqiptar. Më e pakta që ne mund të bëjmë, është ta shpallim ditën e masakrës, 27 qershorin, ditë zie kombëtare. Këtë mund dhe duhet ta bëjë Parlamenti ynë. Po më e shumta? Është për t‘u përshëndetur veprimi i lutjes së përbashkët(përshpirtjes) në hotel “Tirana Internacional” disa ditë më parë, një nismë e frymëzuar nga një deputet i vetëm dhe e mbështetur pastaj nga shoqata “Çamëria”. Dy vite më parë, Parlamenti ynë kishte mundësinë të miratonte një rezolutë për kauzën çame, me rastin e 60-vjetorit të masakrës, sidomos në mbrojtje të të drejtave të popullsisë çame mbi pasuritë dhe shtëpitë e tyre në Greqi. Por nuk e bëri. Organi legjislativ më i lartë i vendit tonë u zbyth pikërisht nga ndikimi i fortë i lobit ekonomik grek në Shqipëri. Tani ka ardhur koha që gjasat të ndryshojnë.

Boll parlamentarëve evropianë në Bruksel lobi grek u ka mbushur kokën me gjoja shkelje të përbindshme të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Boll kryebashkiaku Bollano në Himarë luan pingpong me historinë dhe i bën greke troje mijëravjeçare shqiptare. Sigurisht, ne kemi probleme me minoritetin grek, që janë ato që hasen në të gjitha sferat e jetës shqiptare dhe në gjithë tokën tonë në këto vite të vështira tranzicioni. Por ama këto shkelje të përbindshme që pretendojnë greket se i bëjmë ne i dimë fort qartë që mungojnë. Mbi të gjitha, në Shqipëri nuk ka një ndjenjë shoviniste të përhapur kundër grekëve, sikurse ka kundër shqiptarëve në Greqi. Këtë diplomacia jonë dhe të gjitha mjetet e komunikimit që ne kemi me Bashkimin Evropian duhet ta bëjnë të qartë. Nëpërmjet konferencave për shtyp, komunikatave në të gjitha zyrat e Brukselit që merren me të drejtat e njeriut, qoftë edhe manifestimeve spontane të protestës në ndonjë vend tjetër të BE-së(për shembull, në Romë, qytetet në Gjermani apo edhe në vetë Brukselin). Korteu i zhvilluar po pak ditë më parë në Qafë-Botë është për t‘u përshëndetur, por qarqeve shovene greke do t‘u therte pikërisht protesta legjitime shqiptare pranë dyerve të BE-së. Dhe sa më shumë t‘i mëshohet shkeljes dhe mospërfilljes së të drejtave të popullsisë çame nga të gjitha qeveritë greke të pasluftës së Dytë Botërore, aq më shumë fiton kauza gjithëkombëtare shqiptare dhe venitet tharmi antishqiptar në Greqi. Le të shërbejë përshpirtja e organizuar në hotel “Tirana Internacional” si një nxitje për më shumë veprim të organizuar dhe qytetar kah ambasadave perëndimore këtu në Shqipëri dhe kah strukturave të BE-së kudo ku ato janë, në mbështetje të kauzës çame. Mbrojtja e të drejtave të popullsisë çame të shkelura përbindshëm nga autoritetet greke është në radhë mbrojtje e të drejtave të 700 mijë emigrantëve tanë në truallin grek. Po ashtu është ngritje e identitetit tonë kombëtar. Pjesë e këtij veprimi duhet të ndihet çdo shqiptar i ndershëm.

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.