PD-PS dhe të tretët

 emiljano-a.JPG

Marrëveshja PD-PS për reformën zgjedhore dhe ndërhyrjet kushtetuese, ka qenë në fokusin e kritikave të aktorëve të tjerë politikë, kryesisht të partive të vogla, pasi kjo marrëveshje është parë si një marrëveshje kundër të tretëve. Pavarësisht faktit se ka një teprim me theksimin e këtij rreziku, e vërteta është se kjo marrëveshje mund të shihet edhe si një marrëveshje kundër të tretëve Po kush janë të tretët e rrezikuar nga kjo marrëveshje? Së pari, LSI-ja. Është fare e qartë se PS-ja dhe Rama me këtë marrëveshje kërkon të kufizojë mundësitë për zgjerim të LSI-së brenda spektrit të majtë. Prej kohësh, LSI-ja është shndërruar në një formacion politik brenda së majtës, që bën një presion të konsiderueshëm tek PS-ja, presion ky jo vetëm elektoral, por edhe programor. Edi Rama e ka futur PS-në në një proces reformimi, proces që synon shndërrimin e PS-së nga një parti tradicionale ideologjike në një parti elektorale, gjë që natyrisht është e domosdoshme, por bart edhe rreziqe. Rreziku kryesor ka të bëjë me faktin se në këtë proces reformimi, Partia Socialiste në përpjekje për t’iu përshtatur ndryshimeve socio-ekonomike që kanë ndodhur në Shqipëri në këto 15 vjet, do të kërkojë që ta shtrijë bazën e saj elektorale në shtresa dhe grupe shoqërore të tjera, duke humbur një pjesë të bazës elektorale tradicionale. Kjo kategori mund të jetë e pakënaqur ndaj ndryshimeve të mëtejshme të PS-së dhe mund të joshen nga LSI, e cila fare mirë si parti e majtë mund të shërbejë si një lloj strehe për të pakënaqurit. Është kjo arsyeja pse prodhohet një sistem zgjedhor pervers, i cili reflekton më tepër intuitën matematike të Kastriot Islamit, se sa intuitën e profesionistëve të çështjeve elektorale apo problematikën elektorale në Shqipëri. Por nëpërmjet sistemit të ri elektoral Rama godet edhe disa të tretë të tjerë. Të tretët e tjerë janë Nano (në rast se ai ka ende dëshirë dhe forca për t’u marrë me politikë), dhe kundërshtarët potencialë brenda partisë. Sistemi i ri zhduk thuajse çdo “rrezik” oponence brenda partisë, pasi kryetari i partisë shndërrohet në një lloj figure të gjithëfuqishme nga varen fatet politike të gjithë figurave të partisë. Me një kontroll të mirë të strukturave të partisë, ai mund të zhdukë çdo kundërshtar nga listat e kandidimit për deputet.
Ndërkohë që Berisha me marrëveshjen e fundit kërkon të dëmtojë kryesisht Presidentin Topi. Nuk është fjala vetëm për propozimin gjenial të Trashanit, për ta shndërruar institucionin e Presidencës në një institucion pa kurrfarë peshe. Është fjala për faktin se ai i ndërmerr reformat kushtetuese pa u konsultuar fare me institucionin e Presidencës, që është bashkë me Gjykatën Kushtetuese një nga institucionet kryesore që garantojnë Kushtetutën e vendit. E parë në kompleks, strategjia e fundit e Berishës kërkon ta shmangë Topin si një pol centërzues të opozitës së brendshme ndaj Berishës, ose si një alternativë ndaj Berishës. Por reforma e re është jo vetëm kundër zotit Topi dhe institucionit që ai përfaqëson, por edhe kundër çdo prirje kundërshtuese brenda partisë. Rasti i tërheqjes së deputetëve nënshkrues të kërkesës për votimin popullor të presidentit, tregon se te deputetët që tani ka filluar të japë efektin skema e re elektorale që do të zbatohet. Kundër vullnetit të kryetarit të partisë askush nuk mund të kandidojë, kështu që asnjë rezistencë kundër vendimeve të tij. Nga ana tjetër, ai është edhe një masë preventive ndaj partizave aleate, të cilat me sistemin e ri shërbejnë si një depozitë rezervë votash për dy partitë e mëdha.
Është e qartë pra, se marrëveshja për reformat, në vend që të ishte një marrëveshje rregulluese, është një marrëveshje kundër të tretëve. Të tretët janë të zemëruar. Por vetëm kaq. Edhe pse PD-PS prishin punë si kur janë në konflikt, si kur bëjnë marrëveshje, të tretët duhet të binden, të nënshtrohen. Siç i nënshtrohen fatit. Dhe fati është shpeshherë i padrejtë

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.