Thellohuni z.Ambasador!
Në një kohë që, edhe shqiptari më i fundit është thellësisht i tronditur nga dhunimi më antidemokratik dhe më i pashembullt bërë të drejtës së tij kushtetuese për të vendosur, z.Lohan, si ambasador që mëton të përfaqësojë Evropën në Tiranë, thotë publikisht se e mendon normale gjithçka që ka ndodhur me shkatërrimin e Kushtetutës, eliminimin e thelbit demokratik të saj dhe legjitimimin e diktaturës kryeministrore e partiake. Le ta thotë publikisht z.Lohan, se cili institucion evropian vlerësoi deformimet e fundit kushtetuese në Shqipëri dhe efektet e drejtpërdrejta të tyre mbi demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Në ç‘cilësi, z.Lohan vlerëson se Kushtetuta demokratike e vitit 1998, që u mbështet në mënyrë plebishitare nga shqiptarët e që u hartua pas një procesi të gjatë, plotësisht demokratik, politikisht gjithëpërfshirës dhe u mbështet në çdo hap të hartimit të saj nga KE dhe Komisioni i Venecias ishte plotësisht normal, sipas tij, që të shpërbëhej brenda një ore.
Në ç‘mënyrë është normale për z.Lohan që asnjë nga organizmat që mbështetën dhe asistuan hartimin e Kushtetutës së 1998 nuk u përfillën aspak në këtë proces, që asnjë nga konstitucionalistët më të njohur të vendit, por edhe të huaj, nuk u konsultuan, dhe që asnjë komision parlamentar i posaçëm nuk u ngrit për këtë qëllim. Z.Lohan duhet të mos harrojë dhe të kujtojë mirë se ne paralajmëruam me kohë dhe në mënyrë të dokumentuar degradimin e zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, për arsye të Dushkut që po përgatisnin dhe që realizuan këto të ashtuquajtura konsensuse e të ashtuquajtura të gjera, PS-PD, të ngjashme me këtë të fundit që shkatërroi Kushtetutën.
Ishin po kolegët ambasadorë të z.Lohan, që e kishin trajtuar në mënyrë të papërgjegjshme të gjithë çështjen e Megadushkut, që pas faktit të kryer dhe pasojave katastrofike që ai prodhoi, të nxitonin të largonin përgjegjësitë nga vetja dhe të thoshin se ishte një gabim i jashtëzakonshëm që komprometonte e shtynte së tepërmi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Pra, pasojat ranë përsëri kobshëm mbi popullin shqiptar, z.ambasador.
Si është e mundur që z.Lohan nuk kujtohet se vetë shqiptarët, të traumatizuar nga regjimi thellësisht represiv dhe antidemokratik i Berishës, i viteve 1992-‘96 votuan më 1998 një Kushtetutë demokratike, e cila ndalonte çdo mundësi kushtetuese për rikrijimin e modeleve të tilla shkatërrimtarë e të rrezikshëm si ai i Berishës në ‘92-‘96.
Sigurisht që z.ambasador nuk mund të harrojë se ishte pikërisht kjo Kushtetutë, që jo vetëm nuk pengoi, por mundësoi nënshkrimin e MSA dhe marrjen e ftesës për në NATO. Kur thotë se “mendoj që çdo gjë është normale”, z.Lohan harron se tragjedia e zgjedhjeve të 26 majit 1996 dhe ajo që pllakosi vendin u parapri më 27 maj nga deklaratat e disa ambasadorëve të huaj në Shqipëri, që nuk e quajtën tragjike një ngjarje të tillë. Por ngjarjet që rrodhën provuan papërgjegjshmërinë e një qëndrimi të tillë, sepse më tej ndodhi ajo tragjedi për të cilën Shqipërisë dhe shqiptarëve iu desh mundim dhe sakrificë 10-vjeçare për të ringritur vendin, besimin e tronditur dhe ekonominë e rrënuar.
Z.Ambasador, ndërgjegjja evropiane e çdo shqiptari është sot më e shqetësuar se kurrë, sepse shqiptarët kanë vendosur një herë e mirë në Kushtetutën e tyre të vitit 1998, që në nenin e dytë të saj, se është populli që ka të drejtën e patjetërsueshme me vullnetin e tij të vendosë për Kushtetutën e tij. Sigurisht që për të gjithë ne sot është e pashpjegueshme, të kuptojnë, se pse një ambasador që përfaqëson Evropën në Tiranë flet e abuzon në emër të të gjitha vendeve evropiane, duke pranuar puçin kushtetues që u konsumua natën e 21 prillit e duke e quajtur normal atë. Z.Lohan njeh mirë së cilët janë mekanizmat normalë për ndryshimin e Kushtetutës së një vendi, se vjen edhe vetë prej një vendi demokratik dhe askush nuk kupton dot së ç‘gjë normale dhe demokratike ka parë z.Lohan në të gjithë procesin puçist nëpër të cilin kaluan këto ndryshime.
Votat e shumicave fiktive të parlamenteve të përçudnuar, të kapur dhe nën presion kanë prodhuar diktatura edhe në Evropë. Kushdo mund të kujtojë pa vështirësi, edhe z.Lohan besoj, se si u prodhua diktatura e Adolf Hitlerit nga një shumicë votash parlamentare, vota që instaluan një nga diktaturat më të përgjakshme në Evropë. Z.Lohan duhet ta dijë së askush në Shqipëri nuk provon më asnjë lloj impresioni të veçantë nga deklarimet e sipërfaqshme personale dhe pse jo makiavelike të disa përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, sepse shqiptarët janë sot më të ndërgjegjshëm se kurrë që fatet e vendit të tyre i kanë në dorë vetë shqiptarët dhe jo mandatet turistike disavjeçare të disa diplomatë të huaj.
Aspirata evropiane e disa milion shqiptarëve është madhore dhe në raport me të, është pa vend që z.Lohan të përdoret nga një Kryeministër dhe nga një kryetar partie, të cilët kanë prioritet jo Shqipërinë dhë shqiptarët, por fatin personal të tyre politik. Z.Lohan thotë se ai mendon se gjithçka ka ndodhur me shkatërrimin e Kushtetutës natën e 21 prillit është normalë e ne këtë rast përveç përgjegjësisë shumë të rëndë që ka marrë mbi vete ai, për arsye që ai vetë i di, ka shkuar edhe përtej mandatit diplomatik që përfaqëson. Por besoj se argumentet e mësipërme janë tepër të bollshëm për të provuar krejtësisht të kundërtën, si dhe për të provuar tronditjen shumë të madhe që ka marrë demokracia kushtetuese dhe thelbi europianist i orientimit të Shqipërisë.
Nëse edhe argumente të tillë kaq të qarta nuk mjaftojnë të bindin z.Lohan se jemi përpara një 26 maji të ri, jam i gatshëm që edhe duke u ballafaquar në një debat të drejtpërdrejt me të, t‘ia shpjegoj pa u lodhur edhe një herë nga e para, sepse për mua Shqipëria dhe fati i saj janë të shenjta e të pazëvendësueshme.
Arkivuar nën: komente