Autogoli i G99 me votën e emigrantëve
Që ish protagonistët e organizatës “Mjaft” do t’I futeshin një ditë politikës, kjo nuk kishte diskutim. Kapërcimi në politikë i njerëzve që në një mënyrë,ose tjetër, bëhen publikë, është një gjë e natyrshme dhe nuk meriton asnjë lloj qortimi. Por problemi është tek origjinaliteti dhe sinqeriteti I lëvizjeve. Pjellat politike të shartuara gjithnjë janë shoqëruar nga kontradiksione. I tillë është grupimi i quajtur G99. Kontradiksioni qëndron në krijimin e një zgjatimi institucional pa identitet për t’i shërbyer politikisht një formacioni tjetër. Grupi i quajtur G99 pavarësisht se si po shfaqet, është një mekanizëm i përdorur nga PS, herë për të bërë sondazhe në favor të saj, herë për të përforcuar
ide në qendër të të cilave është gjoja qytetari, e herë për të bërë opozitë qytetare. Po të bëheshin zgjedhjet sot, shifra e parë e G99 do të ishte 0. Aftësia e një individi apo subjekti për tu bërë fenomen mediatik është e pamjaftueshme për tu përkthyer në votë, ose në mbështetje elektorale. Në Shqipëri, por jo vetëm këtu,ka shumë shembuj grupesh apo personash që kanë arritur me meritë, ose jo, të bëhen mediatikë, por janë zhgënjyer sapo kanë marrë iniciativën për t’u shndërruar në personazhe të votuar. Zhgënjimi
kryesor duket tek politikanët parti, ose tek të ashtuquajturat parti të vogla të cilat për më shumë se një dekadë, nuk kanë arritur të garantojnë kurrfarë elektorati të qëndrueshëm dhe siç duket ka ardhur fundi për ta. Ato që të bëjnë përshtypje tek G99 nuk është as shfaqja si fenomen mediatik e as qëllimi I kësaj shfaqjeje, por spekulimet me ide që kthehen në kontradiktore, për shkak të mosnjohjes në thellësi të politikës, si dhe nxitimit për t’u shtirur si përfaqësues të interesave të gjëra popullore. Një nga këto mosdije është edhe qëndrimi ndaj votës së emigrantëve. Formacioni i parë politik dhe i vetmi deri tani që ka kërkuar me sinqeritet ligjërimin e votës së emigrantëve, në vendet ku ata janë, ka qenë LSI. Në vijim të kësaj kërkese LSI ka propozuar një sistem të
përshtatshëm zgjedhor i cili, do të ishte i lehtësisht favorizues për votën e emigrantëve. Një sistemi proporcional kombëtar, me prag elektoral
më të madh se ai që ishte, por gjithsesi të pranueshëm, do të krijonte shanse të mira për votën e emigrantëve të cilët janë kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria është ndër vendet e pakta të Evropës që përjashton
shtetasit e saj nga votimi edhe pse për nga përqindja ajo ka shifrën më të madhe të emigracionit. Sistemi i adaptuar së fundi në kushtetutë, e vështirëson futjen e votës së emigrantëve deri në pamundësi. Kur bëhet fjalë për votimin e
emigrantëve ndarja rajonale, në rend të parë, krijon konfuzion. Në rend të dytë ajo krijon vështirësi serioze për të njohur protagonistët në listat rajonale të subjekteve politike. Sistemi rajonal shton disa hallka më shumë, në rastin e
emigrantëve. Përveç subjektit votuesi do duhej edukuar dhe ambientuar për mënyrën e votimit dhe pragun elektoral të rajonit të tij, ndërsa infrastruktura në procesin e votimit do ishte shumë e komplikuar. Po ku t’i gjesh votuesit?
T’i mbledhësh si zogjtë e korbit, të ndarë sipas rajoneve? Të mbledhësh herë kukësianët, herë shkodranët, herë tiranasit, herë vlonjatët, herë korçarët etj? Ajo çka duhet thënë, fjala vjen, për votuesin kukësian nuk vlen për votuesit e asnjë rajoni tjetër. Akoma më tej, edhe në një provincë jashtë vendit ku ka fare pak
emigrantë, do duheshin ngritur të paktën 12 qendra votimi! Dhe para se të ngrihej qendra e votimit p.sh. për rajonin e Kukësit këto qendra, do duhej pyetur p.sh. nëse ka ndonjë kukësian aty pari apo jo? Sipas kësaj logjike në çdo
provincë do duheshin bërë nga 12 pyetje…! Këto janë argumente të maftueshme (ka edhe plot të tjera) për tu bindur se sistemi i miratuar e bën praktikisht të pamundur votën e emigrantëve shqiptarë. Le të kthehemi tani te G99.Ky grupim, nga njëra anë, e ka shpallur hapur mbështetjen e vet për sistemin e sapo miratuar, nga ana tjetër, pa ditur, deklarohet për votën e emigrantëve. Duke dashur të shtiret si një formacion që ka ndryshime esenciale nga PS-ja, krijesë e së cilës është, duke dashur të sillet si origjinal, G99, mbetet, prapë pa ditur, në kornizën e një retorike boshe dhe false, gjithsesi me një mision tjetër, që edhe budallai i fshatit e ka kuptuar, Erjon Veliaj të bëhet deputet. Erjoni ka mundur të gjejë një rrugë më të thjeshtë për të shkuar aty ku synon. Një rrugë pa shumë zhurmë, pa shumë demagogji, pa shumë manipulime mediatike, pa shumë përsëritje të së njëjtës gjë, e më në fund
pa shumë kontradiksione si ky me votën e emigrantëve. Nuk duhet kaq shumë për t’iu mbushur mendjen socialistëve të vjetër që të mos bëzajnë kur Erjon Veliaj të jetë pjesë e kreut të listës së PS në ndonjë prej rajoneve elektorale
të saj, duke e justifikuar si një lëshim në funksion të një koalicioni PS-G99. Megjithatë kjo, se ku do të jetë drejtuesi i G99, nuk është fort e rëndësishme për opinionin publik, sa ç’është e rëndësishme të dihet falsiteti i mesazheve që
kërkojnë të japin krijesat politike artificiale, si ky me kërkesën për votat e emigrantëve. Ky falsitet vjen më së shumti prej mungesës së origjinalitetit.
I vetmi origjinalitet që kanë këso krijesa është qendra e ndërzimit rozë.
Arkivuar nën: komente