Kur flet populli, flet Zoti!
Tashmë çështja “e atentatit ndaj Kushtetutës” të dy partive “të vjetra” dhe reagimi mbrojtës ndaj saj …ka hyrë në finish. Është krijuar një strukturë mbarëshoqërore me inicialet KMK (Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës). Më saktë për mbrojtjen e Republikës Parlamentare. Ose më saktë fare, për mbrojtjen nga monarkia kryeministrore që synon Sali Berisha sot dhe Edi Rama nesër.Dje KMK u shfaq në një komunikatë zyrtare në median vizive dhe të shkruar. Pa shumë komente dhe lakonike. Megjithëse në zemrën e kësaj strukture qëndrojnë komentatorë të shquar politikë, ku më të afishuarit këto ditë dallojmë Zhejin, Stefanin, Kajsiun, Çilin, Dylgjerin, Lekën, Bushatin etj. Në të parashtroheshin rrugët në të cilën do të ecet javët e ardhshme. Në fakt, thelbi i kësaj komunikate të KMK, në të cilën nuk mund të fshihej entuziazmi, edhe përballë “digave prej kartoni”, ishte “No pasaran!” (Nuk do të kalojnë!!), të kujton ky slogan Republikën spanjolle 70 vjet më parë dhe republikanët spanjollë nga e gjithë bota përballë fashizmit të Frankos. Të kujton edhe Ernest Heminguejn, Petro Markon si dhe qindra personalitete të tjera botërore që u grumbulluan në mbrojtjen e Republikës spanjolle.
Ndërkohë siç ka njoftuar Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, ai përgatit të nisë betejën “burokratike” me KQZ-në. E firmosur nga 20 personalitete të shquara të fushave politike, juridike, sociale etj., kërkesa ka marrë drejtimin për t’u formalizuar dhe konkretizuar. Që do të thotë këto ditë fillon procesi i madh i përkrahjes popullore për mbledhjen e nënshkrimeve të domosdoshme për referendum. Parashikimet flasin se kjo përkrahje do të jetë disa fish më e madhe se sa nevoja që përcakton ligji. Populli, vetë sovrani, kërkon të flasë, Latini thotë: “VOX POPULI, VOX DEI!”. E barabartë kjo me, “Kur flet populli, flet Zoti!”.
Gjithsesi në pritje të veprimeve noteriale, burokratike të KQZ-së, po ju sqarojmë dhe njëherë çfarë synojnë KMK-istat nëpërmjet këtij referendumi. Meqë këtu janë shfaqur pikëpamje, debate nga më të ndryshmet.
Diskutimi më thelbësor në lidhje me këtë çështje ka të bëjë me interpretimin nëse është apo jo i aplikueshëm neni 150, pika 1 i Kushtetutës, për të shfuqizuar ligjin apo dispozita të veçanta të ligjit nr. 9904, datë 21.04.2008, duke qenë se ky ligj ka për objekt të tij ndryshimin (amendimin) e disa dispozitave kushtetuese.
Po diskutohet në opinionin publik se në këtë rast kemi të bëjmë me një referendum kushtetues, procedura për zhvillimin e të cilit duhet të bëhet në përputhje me nenin 122 të Kodit Zgjedhor. Sipas këtij neni, nisma për zhvillimin e këtij referendumi mund të merret nga 2/3 e deputetëve sipas nenit 177, pika 4 të Kushtetutës, ose nga 1/5 e deputetëve, sipas nenit 177, pika 5 të saj.
Ky arsyetim është tërësisht i gabuar dhe vjen ndesh me përmbajtjen e dispozitave kushtuese të Republikës së Shqipërisë dhe me parimet mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës.
Duke parë dy nene 177 dhe 150 të Kushtetutës, konstatohet se ato janë dy dispozita të cilat nuk bien ndesh me njëra–tjetrën, por rregullojnë procedura të ndryshme dhe garantojnë të drejta të ndryshme, nga njëra anë për Kuvendin e Shqipërisë, si përfaqësues i pushtetit të deleguar nga populli (neni 2, pika 2 i Kushtetutës); dhe nga ana tjetër, të popullit, të cilit i përket sovraniteti në kuptimin maksimal në Republikën e Shqipërisë (neni 2, pika 1 i Kushtetutës).
Në nenin 177 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është përcaktuar procedura për rishikimin e Kushtetutës, në të cilën duhet të kalojë nisma ligjore për t’u kthyer në amendim kushtetues. Për shkak të rëndësisë së veçantë që ka procesi i amendimit kushtetues, është përcaktuar se nisma duhet të merret nga jo më pak se 1/5 e deputetëve dhe projektligji miratohet nga jo më pak se 2/3-at e deputetëve. Neni 177, pika 4 i Kushtetutës, për shkak të rëndësisë së veçantë që ka ky proces, parashikon se 2/3-t e deputetëve mund të mos vendosin vetë për miratimin e projektligjit, por ta lënë në dorën e sovranit për t’u shprehur për miratimin e këtyre ndryshimeve. Këtë e përcakton edhe neni 122 i Kodit Zgjedhor, ku parashikohet se:
“Referendumi kushtetues, sipas pikës 4 të nenit 177 të Kushtetutës, zhvillohet me vendim të 2/3 të të gjithë deputetëve, që projekt-amendamenti kushtetues të votohet drejtpërdrejt nga populli”. Në këtë rast, populli bëhet pjesëmarrës në procesin legjislativ, duke miratuar apo jo projektligjin dhe duke përcaktuar fatin e projektligjit që i është propozuar Kuvendit nga 1/5-ta e deputetëve, nëse do të kthehet në ligj apo jo. Duhet thënë se ky është i vetmi rast, ku populli merr pjesë drejtpërdrejtë në procesin ligjbërës, por edhe në këtë rast nuk e ka ai iniciativën ligjvënëse.
Në rastin kur 2/3 e Kuvendit ushtrojnë të drejtën e tyre të parashikuar në nenin 177, pika 3 të Kushtetutës dhe miratojnë vetë projektin për ndryshimet kushtetuese, Kushtetuta në nenin 177, pika 5, parashikon edhe një garanci më tepër, që projektligji i kthyer tashmë në ligj, me votat e deputetëve, t’i nënshtrohet referendumit. Në këtë nen përcaktohet se 1/5 e Kuvendit ka të drejtën që këto amendime kushtetuese të miratuara nga 2/3 e Kuvendit t’i nënshtrohet referendumit popullor. Në këtë rast këto amendime të kthyera në ligj nga miratimi i 2/3-at e Kuvendit nuk hyn në fuqi pa u ratifikuar në popull.
Neni 125, pika 4 i Kodit Zgjedhor përcakton: “Në qoftë se amendimet kushtetuese nuk rrëzohen me referendum, ato shpallen nga Presidenti i Republikës dhe hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimin në Fletoren Zyrtare”. Pra, populli thirret në referendum, edhe në këtë rast, për të marrë pjesë në procesin e ligj-bërjes (law – making), për të finalizuar procesin legjislativ, përpara se të hyjë në fuqi.
Është për t’u theksuar se neni 177 e konsideron referendumin si mjetin më të mundshëm dhe aktin final të ligjshëm për realizimin e amendimeve kushtetuese, pasi në dy rastet e trajtuara më sipër, me kërkesë qoftë të 2/3-ve, apo 1/5 të anëtarëve të Kuvendit, ky proces kalon nëpërmjet referendumit. Këtu përfundon procedura që një nisëm për rishikimin e kushtetutës të kthehet në ligj me fuqi të plotë amenduese kundrejt Kushtetutës. Ky është një referendum i posaçëm, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullit në procesin e bërjes së ligjit, dhe që emërtohet në Kushtetutë “Rishikimi i Kushtetutës”.
Por ç’ndodh nëse as 2/3-t dhe as 1/5-a e Kuvendit, në mënyrë të qëllimshme apo jo, nuk e thërrasin popullin në këtë proces? Një e drejtë që i njihet 2/3-ve të përfaqësuesve të popullit, madje edhe 1/5-s së tyre, a mund të mos i njihet vetë popullit?
Në nenin 1 të Kushtetutës parashikohet parimi regnat populus, sovrani është populli. Në këtë frymë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike, “thërret në ndihmë” garancitë e përgjithshme dhe parimet thelbësore mbi të cilat ushtrohet sovraniteti.
Procesin, nga i cili e kanë shmangur gjatë procedurës së veçantë të krijimit dhe formëzimit të amendimeve kushtetuese, populli ka të drejtën ta korrigjojë duke e shfuqizuar nëpërmjet të drejtës së tij universale për të ushtruar drejtpërdrejt sovranitetin e tij, të drejtë që e realizon nëpërmjet referendumit të përgjithshëm të parashikuar nga neni 150 i Kushtetutës.
Të supozojmë se me nismën e 1/5 të anëtarëve të Kuvendit, iniciohet ndryshimi i nenit 1 i Kushtetutës, duke propozuar formulimin “Shqipëria është republikë monarkike” dhe ndryshimi i neneve të tjera në varësi të ndryshimit të formës së republikës. 2/3 e anëtarëve të Kuvendit ushtrojnë të drejtën që iu jep neni 177, pika 3 i Kushtetutës dhe e miratojnë këtë projekt të paraqitur. 1/5 e anëtarëve të Kuvendit nuk ushtrojnë të drejtën që u jep neni 177, pika 5 i Kushtetutës dhe nuk ia nënshtrojnë këtë amendim referendumit. Ç’bëhet në këtë rast? Quis custodiet ipsos custode? E vetmja garanci kushtetuese që ka populli (sovrani) për të shfuqizuar një amendim të tillë, është neni 150 i Kushtetutës. Duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ky nen, populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, kërkon, dhe askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë, referendum për shfuqizimin e ligjit me anë të cilit janë bërë ndryshimet e mësipërme.
Pra, Kushtetuta, nisur nga parimi se “Sovraniteti i përket Popullit”, i ka dhënë këtij vetëm të drejtën e kontrollit, që do të thotë se, edhe kur amendimet kushtetuese të miratohen nga Kuvendi, qoftë edhe me 100% të votave, populli, nëpërmjet 50.000
votuesve, ka të drejtë të kërkojë që amendamentet e miratuara, për të cilat nuk është pyetur, të kalojnë në referendum.
A është ligji për miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese i votuar nga Kuvendi, objekt i kërkesës për shfuqizim të tij nëpërmjet referendumit nga 50.000 votues?
Debatet e shumta me kontekst të theksuar politik tentojnë të ngushtojnë maksimalisht këtë të drejtë të ushtrimit të sovranitetit nga populli, deri në atë masë sa abuzojnë me teorinë se amendimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi nuk mund të goditen nga 50.000 votues. Në të vërtetë, fryma e vetë Kushtetutës dhe dispozitat konkrete të saj, deri tani, garantojnë të drejtën e popullit (sovranit) të shfuqizojë çdo ligj të miratuar nga Kuvendi, me përjashtim të atyre të përcaktuara në mënyrë eksplicite në nenin 151, pika 2 të Kushtetutës. Në këtë nen përcaktohet se “Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë, nuk mund te ushtrohen asnjë referendum”. Këto janë të vetmet ligje, të përcaktuar në mënyrë të numërtuar dhe kufizuese, për të cilat nuk i është dhënë e drejta popullit nga Kushtetuta për t’i shfuqizuar nëpërmjet referendumit. Për çdo ligj tjetër, përfshirë këtu edhe atë për rishikimin e Kushtetutës, apo ligje të tjera të rëndësishme që votohen me 2/3-t e Parlamentit, populli ka të drejtën të ushtrojë pushtetin e vet obrogues nëpërmjet referendumit. Në rast se Kushtetuta do të mbante një qëndrim tjetër, përveç atij të argumentuar më lart, ligjet “Për rishikimin e Kushtetutës”, do të përfshiheshin në nenin 151, pika 2. Vetëm atëherë kërkesa e 50.000 votuesve për të thirrur referendum me qëllim shfuqizimin e ligjit nr. 9904, datë 21.04.2008 mund të mos pranohej.
Në vazhdim të debatit të hapur për këtë temë, nuk gjejmë më vend të ndalemi gjatë në disa arsyetime të çuditshme të hedhura për konsum në opinionin publik, sipas të cilave, ligji për ndryshimet kushtetuese nuk është ligj (!!!), prandaj nuk mund të shfuqizohet nëpërmjet referendumit të mbajtur sipas nenit 150 të Kushtetutës. Do të duhet të ndaleshim gjatë në formën e akteve në të cilat operon Kuvendi dhe do të ishte jashtë diskutimit profesional, por mjafton të evidentojmë faktin se vetë Kuvendi per forca i realizon ndryshimet kushtetuese nëpërmjet ligjeve, të cilat i nënshtrohen një procedure dhe një korumi të veçantë (si disa ligje të tjera të rëndësishme: Ligjet organike, kodet etj). Për më tepër edhe Kushtetuta në vetvete është thjesht një ligj. Neni 4, pika 2 i saj përcakton: “Kushtetuta është ligji më i lartë i Republikës së Shqipërisë”.
Pra, e drejta e popullit për të ushtruar drejtpërdrejt sovranitetin e tij, duke filluar që nga nisma për zhvillimin e referendumit e deri në mbajtjen e tij, është një e drejtë e pakufizuar dhe që parashikohet në nenin 150, pika 1 e Kushtetutës. Nëse do të tentohej nëpërmjet arsyetimeve konfuze dhe tërësisht të gabuara të kufizohej ky rast s’do të bënim gjë tjetër, veçse do të linim pa përmbajtje nenin 2, pika 1 të Kushtetutës, që parashikon se sovraniteti është i popullit.
Objekti i referendumit do të jetë shfuqizimi i një pjese të ligjit nr. 9904, datë. 21.04.2008 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar dhe pikërisht nenet 5, 7 dhe 8 të këtij ligji dhe konkretisht populli të flasë e të shprehet nëse Presidenti duhet të zgjidhet nga vetë ai apo nga Kuvendi, edhe nëse Kryeministri duhet të shpërndajë Kuvendin sa herë votëbesohet.
Neni 7 i Kushtetutës përcakton se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin nëpërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Ndarja dhe balancimi i pushteteve janë forcat ndërvepruese midis institucioneve, të cilat ruajnë qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe formën e sistemit. Në një shtet ligjor, parimi i ndarjes dhe i kontrollit (check and balance) përvijohet nga mënyra e konstituimit të institucioneve kushtetuese, në raport me vëllimin e kompetencave që u jepet. Të tre dispozitat, të cilat mendojmë se duhet të shfuqizohen, ndryshojnë pikërisht mënyrën e zgjedhjes dhe konstituimit të Presidentit, pa ndryshuar vëllimin e të drejtave të tij, si dhe ndryshojnë raportet e balancës midis Kryeministrit, Kuvendit dhe Presidentit.
Giovani Sartori, ideologu i demokracisë moderne, analizon qartë në punimet e tij mbi demokracinë se: “Diktaturat lindin nga ushtrimi demokratik i pushtetit prej shumicës, në rastet kur mungojnë elementet kontrolluese e garantuese, mbi kufirin e ushtrimit të tij; (kur mungojnë institucionet që garantojnë të drejtën e pakicës për t’u kthyer në shumicë në mënyrë demokratike)”.
Përfundimisht ia vlen të theksohet se thirrja dhe kërkesa për zhvillimin e referendumit ka ardhur jo vetëm për shkaqe juridike e konstitucionale, por edhe për shkaqe politike e shoqërore (madje ato janë më të shumta dhe më të mprehta, madje edhe më të fshehta e kamufluara, pasi pas tyre qëndrojnë interesat politike të disa liderëve politikë).
Kushtetuta nuk mund t’i përshtatet politikës, në fakt duhet të ndodhë e kundërta. Ndryshe do të humbiste serioziteti i shtetit dhe do të viheshin në dyshim aftësitë shtetformuese i një populli. Papërgjegjshmëria e disa grupimeve politike që “atentauan Kushtetutën”, nuk mund t’ia mbyllin gojën popullit.
Një qëndrim ndryshe do të ishte fatal për ta.
Arkivuar nën: komente