Deputeti i kërcënuar

ealeksi.png
Të themi atë që ndjejmë: Balla është një deputet i ri që më shumë flet se dëgjon, një ves jo i mirë për një të ri. Por duke qenë se, sipas Kushtetutës të Republikës, deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për problemet që ngrenë dhe kritikat që bëjnë, do të na duhet të respektojmë të drejtën e tij kushtetuese. Ai nuk po fyente dhe nuk po kërcënonte njeri.
 Balla po kritikonte një dukuri që të tjerët e kanë kritikuar më parë. Qeverinë shqiptare të Berishës disa e kanë quajtur “qeveri e oborrit”, qeveri e kompozuar me shokë dhe shoqe të vajzës apo të djalit të Kryeministrit të cilët janë vendosur në pika kyçe të shtetit. Dhe kjo nuk e bën edhe aq dorëjashtë zotin Berisha.
 Kritika publike janë bërë për afera në bregdet, në hidrocentralet dhe në pika nevralgjike të pasurisë kombëtare ku duket se vajza e Berishës është e përfolur.
 Baxhanaku i Berishës për të cilin Kryeministri u betua se nuk e njihte dhe se punonte për bukën e gojës (që do të thotë se e njihte) ishte njeriu enigmatik që punonte si “syri dhe veshi” i kryeministrit në Gërdec. Për pasojë kryeministri Berisha, ndryshe nga betimi i tij përpara deputetëve e dinte ku ishte Gërdeci (një vendim qeverie, brenda ditës dhe kundër të gjitha procedurave duket se e kundërshton edhe këtë “fshehje pas gishtit”).
 Pra duket se Balla, duke i prekur këto probleme, që kryeministri mendonte se kishin zënë “kore”, i shkaktonte atij “dhimbje” rishtazi edhe pse dosjet e spiunëve të hedhura në tregun e mediave “budallaqe”, duket se ia patën dalë të largonin vëmendjen e opinionit publik. Atëhere, ç’donte Balla, ky deputet që “prashiste e prashiste?!”
 Ndoshta Balla pati ngacmuar një fushë të ndjeshme, thuajse “të minuar”, duke thënë se emërimi i zonjës Godo, Ministre e Shëndetësisë, do ta kishte bërë të ndjeshme vajzën e kryeministrit që tashmë ka plot pushtet (pushtetin e parasë, pushtetin e të atit), por nuk ka lavdinë e ëndërruar. Ndoshta Berishës kjo kritikë i digjte vërtet shumë sepse mbase kjo lidhej me gjendjen e vërtetë të konfliktit baba- vajzë dhe kjo (ose vetëm kjo) e detyroi të reagonte në atë mënyrë dhe se nuk mund të reagonte ndryshe. (Por ama, po ta mendosh në mënyrë diabolike, duket sikur kryeministri Berisha është gati të bëjë gjithçka që do ta spostonte vëmendjen nga 26 të vrarët dhe 200 të plagosurit e Gërdecit - supozimi im - N.T.)
 Më duhet të them haptazi se as që e kam menduar ndonjëherë që Z. Sali Berisha të kishte një fjalor të një niveli të tillë që e prezanton aq keq një intelektual, mjek, profesor dhe kryeministër. Kam qenë vërtet i çuditur dhe i shokuar dhe me këtë rast do të doja të them se sjellja e tij i konvenon egërsisë, cinizmit dhe shfaqjeve prej të pagdhënduri në publik, që mund të kryej çdo delikt. Kërcënimi “Ta dish mirë se do të të vras” apo “Ti nuk shkel i gjallë në këtë parlament! Unë do të të vras”, personalisht me ka ngjethur mishtë (citimet sipas GSH, datë 23 Korrik 2008).
 A është një shpifje ajo që thotë për motrën apo gruan e Ballës apo është rezultat i një ankete?
 Në se është një shpifje e bërë me “aq sinqeritet”, e prezanton shumë keq në publik Berishën, e prezanton si një njeri shpifarak dhe kjo nuk është e denjë për një kryeministër.
Nëse është rezultat i një ankete, vjen nga implikimet e organeve informative të shtetit apo e organeve policore. Kjo do ishte jo vetëm një punë e shëmtuar, një keqpërdorim i pushtetit, por dhe një krim shtetëror, abuzim me pushtetin. Gjithsesi zoti Berisha është një njeri që i çkreh (i ndjek) prapa llafet. Ato duket se atij i japin jetë dhe gjallëri. Kontraditore është që ai “nuk ka asnjë dijeni për Gërdecin” dhe njëkohësisht e di që deputeti, ishministër Arben Malaj, ka shkollë të mesme jo dhe aq korrekte!!!
 Fakti që Berisha Kryeministër shfaqet si njeriu me të drejta të plota dhe të pakufizuara që mund të kërcënojë, majtas dhe djathtas, cilindo që guxon të kritikojë, është një fakt shumë i trishtueshëm jo vetëm për një parlament, por për të gjithë shoqërinë shqiptare.
 
Duke dashur të flasim për qëndrimin e Topallit në cilësinë e Kryetares së Parlamentit, fatkeqësisht ne nuk mund të kërkojmë një qëndrim të ndryshëm, të paktën në dukje dinjitoz, nga ana e saj.
 Të kujtojmë që Topalli e ka të huaj qëndrimin në anën e të dobëtit dhe të pafuqishmit. Ky qëndrim do të ishte i denjë për njerëzit me karakter ndërsa ajo e shkreta na është paraqitur deri tani si një lepitkë e zotit Berisha (as atij nuk ka përse t’i vijë ndot nga qëndrimi i saj me atë fjalor dhe me atë urrejtje që ka për njerëzit).
 Duhet të kujtojmë që Zonja Topalli, ditën që e zgjodhën kryetare parlamenti, u angazhua se do të ishte “avokate e opozitës”. (O Zot, kush dreqin ia përgatiti atë fjalim ose kush qe ai klysh bushtre që ia serviri këtë ide?!)
 E pra “avokatja e opozitës” iu sul presë së kryeministrit, (Balla i shkretë nga të gjitha ato që tha në përgjigje të sulmit të Berishës, thjeshtë dukej që ishte i shastisur, i shokuar nga sjellja e kryeministrit). Ajo me një shenjë të Berishës iu sul T. Ballës me atë shqipen e saj arkaike. Ajo tha “nxirreni jashtë atë vakabond, urgjent, tani. Mos më shikoni ashtu se do ju shkarkoj”. Pasi e filloi disi njerëzisht “ulu zoti Balla, ulu, ulu!”, ajo e la mënjanë sjelljen e këshillueshme dhe u shpreh “Në fakt ky e meriton me kap prej zhelesh e jashtë”.  I tha “zhele”, “nxirreni jashtë këtë zhele”. (A nuk thotë Migjeni, në një nga tregimet e tij, i “unët e zhelemel”? Ja pra Balla, deputeti socialist, duhej nxjerrë jashtë si një zhele. Sa lart po fluturon zonja Topalli në qiejtë e saj të lavdisë, sa është shkëputur nga parlamentarët të cilët e zgjodhën dhe ajo po u tregon vendin. (Me këtë zonjë, parlamentit, po i ndodh si atij piktorit që e vizatoi Jezuin dhe pas kësaj nisi t’i falej pikturës së tij).
 Kjo zonjë që u zgjodh në fillim jo aq për besnikëri sa për fustanin është shndërruar në një qënie besnike dhe të rrezikshme, që punon 49:51, për partinë, por edhe për veten e saj. Dhe kur ia do politika e vendit të saj (politikëzeza!!!) ajo mbulohet me shall si myslimane e mirë përpara zotërinjve udhëheqës arabo-myslimanë.
 Kjo situatë e turpshme u zhvillua përpara auditorit më të çuditshëm në botë, përpara deputetëve të shumicës (urime zotit Patozi që e zgjidhi paragjyqësisht çështjen e tij të divorcit.) Mazhoritarët duhet ta përsërisin apo ta kuptojnë titullin e librit të Hemingueit “Përse bien këto këmbana”. Përgjigja është: “Këmbanat bien edhe për ty”, pra një ditë edhe atyre u vjen radha.
 Nëse ata do të vazhdojnë të jenë të nënshtruar këmbanat do të bien edhe për ta. Një ditë…
 Nuk ka si të mos ndjesh keqardhje të thellë për mazhorancën e sotme e cila pranon diktaturën e egër të një njeriu duke sharë çdo ditë sin ë kor komunizmin, diktaturën komuniste dhe diktatorin komunist. Këta njerëz të mjerë, prej 18 vjetësh kush më i vjetër e kush tani, kanë duruar edhe dajakun e Berishës (thonë se ai ia vishte i pari me shpulla viktimës dhe më pas ua dorëzonte badigardëve!!!)
 Kjo shfaqje e shëmtuar me deputetin Balla ndodhi edhe përpara opozitës dhe opozitarëve. Ata e kundërshtuan me fjalë të drejta dhe të zgjedhura, por opozita shqiptare aktuale është një “pordhë e ftohtë”.
 Sapo ikën, si dikur gjashtë mocionistët e PD, dhe krijuan një grup më vete ca “nanoistë”. Ky është një “grup i qendrës” që do të thotë se nuk është më me të majtën prej nga e përjashtuan socialistët për turpin e tyre. Opozita është e përçarë dhe jo e bashkuar siç do të donte elektorati i saj. Krerët e opozitës nuk janë në sherr me njeri-tjetrin për çështje principiale. Ata janë në thikë e në pikë për çështje interesash private. Dhe ky është një turp sepse vjen kundër interesave të elektoratit të majtë. Gjendja ma bëfsh, ta bëfsha, edhe pse shoqërohet me buzëqeshje majtiste, (me origjinë komuniste), shfrytëzohet mjaft mirë nga zoti Berisha. Eshtë krijuar ideja se partitë e mëdha (PD, PS) bashkëpunojnë me njera-tjetrën në dëm të partive të vogla.
 Lidhur me çështjen në analizë mendoj se opozita nuk e menaxhoi situatën me mençuri. Kur do të bësh politikë “të madhe” herë-herë bie në “pordhacëri intelektuale”. Nëse do t’i pyesësh shqiptarët në 100 veta, 90 do të thoshnin: largohuni nga parlamenti dhe kërkoni demisionin e Berishës dhe të Topallit si një kërcënim për jetën, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve. Kthehuni në parlament vetëm pasi ata të japin dorëheqjen. Në djall të huajt që do t’u këshillonin ndryshe: NATO, OSBE, ambasada, miq të Shqipërisë (jam i sigurt se Shqipëria kurrë nuk ka patur dhe as ka të tillë).
 Mosmenaxhimi i kësaj situate çoi në atë që Berisha e deklaroi: “Balla e meritonte…”. Pra ai ende nuk e ka kuptuar sa gjë të turpshme dhe kriminale ka bërë ose ai do që të shkëpusë vëmendjen e opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar nga krimi shtetëror i Gërdecit.
 Ne qytetarët kemi nevojë për mbrojtje dhe këtë mbrojtje asnjëherë dhe askund nuk mund ta gjejmë tek shteti. As ka lindur e as do zbres në tokë një shtet i “ambël” për të gjithë shqiptarët. Për aq kohë sa nuk kemi krijuar mekanizmat e duhur që të mbrojmë të drejtat tona, do të na duhet të mbështesim opozitën (pavarësisht se kush është në opozitë). Edhe pse e mbështetëm opozitën e Berishës duke ia varur ujkut “mëlçitë në qafë”, na takon të mbështetemi dhe ta mbështetim opozitën e majtë, por jo verbëtazi, pa ia dorëzuar lirinë tonë.
 Indiferentizmi vjen nga goditja e egër që i është bërë opinionit publik. Sot po përsëritet si në 1996, në mënyrë spirale, “grushti i shtetit i bardhë”, i strukturuar mjeshtërisht:  personalizimi i shtetit, i institucioneve të pavarura, por edhe i vetë parlamentit (“nxirreni për zhelesh ose do t’u shkarkoj” dhe “ai nuk kthehet më këtu” (në parlament) tregojnë se mbi këtë vend po shtron “gunën” e saj një diktaturë e re, e njohur për ne, por ende e panjohur për Europën.
Ajo që trumbetojnë si “hapje e dosjeve e spiunëve” dhe konkludojnë me disa kategori qytetarësh që jo vetëm u heqin të drejtat dhe liritë qytetare, por ushtrojnë haptazi segregacion mbi ta, është e turpshme dhe kriminale.
Ajo që duhet thënë haptazi, për të gjithë është:
Te jemi syçelët! Diktaturat kanë një fytyrë!

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.