A dimë të edukojmë njeriun modern?

 emiljano-aleksi.jpg

  

Nuk është e lehtë në kohën tonë të përkufizosh se cili është edukimi që duhet të marrë njeriu që të jetë qytetar i edukuar. Madje, nuk kemi të qarta se cilat vlera të sjelljes individuale dhe të komportimit social i duhen njeriut, kohës, shoqërisë, se cilat prej tyre duhet të konsiderohen vlera morale apo tipare të domosdoshme për shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Kjo çështje nuk është një problem i thjeshtë moral apo pedagogjik. Është një nga problemet e mëdha sociale, që ka sjellë shumë shqetësime konceptuale dhe praktike në veprimtarinë edukative të familjes, shkollës, institucioneve fetare në Shqipëri. Ne jetojmë në një shoqëri të lirë, të individualizuar, me tregues edukativë të tronditur, me ndikim të ulët social, prandaj nuk është e lehtë të përcaktosh se cilat janë tiparet morale dhe karakteristikat personale që duhet të ketë dhe të shfaqë njeriu për të qenë koherent me kërkesat dhe imperativët e jetës moderne. Në të vërtetë, çdo ditë e më shumë po përballemi me perceptime edukative kaotike, madje me koncepte voluntariste e antiedukative, shpesh të deformuara deri në kufijtë e anarkisë dhe anomisë sociale. Shumë të rinj të shkollave të mesme, studentë të universiteteve, por jo vetëm këta, kanë dalë realisht nga kufijtë e lejuar të lirisë personale dhe po bëhen shqetësim i vërtetë social. Krimi, vrasjet, vjedhjet, dhuna, tensioni social publik janë tregues të faktit që perceptimet anarkiste të lirisë nga shumë njerëz dhe grupe sociale në shoqërinë tonë kanë krijuar rrethana të favorshme për një situatë të paqartë për vlerat që i duhen qytetërimit tonë. Po bëhen dy dekada që nuk po merremi si duhet me edukimin e njerëzve, ngaqë e gjithë shoqëria është në sulm për para, mirëqenie, mbijetesë, luks, konsum, seks etj. Dhe kjo ka krijuar gradualisht një situatë sociale në të cilën shumë njerëz nuk kanë fare të qartë, madje kanë një perceptim flu të disa vlerave morale të domosdoshme që duhen për ekuilibrin e shoqërisë shqiptare në tërësi, por dhe për jetën individuale të njeriut.

Ky boshllëk moral duket se është zgjeruar akoma kohët e fundit. Madje, duket se po ecim deri në kufij kritikë. Kjo e ka bërë të vështirë punën për edukimin, veçanërisht të të rinjve, në familje, në shkollë dhe komunitet. Sepse edhe këto institucione ndodhen përballë vështirësive konceptuale dhe për të përcaktuar se cilat janë vlerat edukative, tiparet morale dhe standardet e qytetërimit që duhen kultivuar te njerëzit tanë. Akoma më e vështirë është situata në kushtet e zgjerimit të tendencës liberale, aq sa në pamje të parë duket se e kanë të vështirë disiplinimin e vullnetshëm të njeriut në shkollë, familje apo institucione të tjera specifike të edukimit. Jo vetëm kaq, por nuk është pa shqetësim fakti që këto institucione vetë nuk kanë njohuritë, teknikat e teknologjitë adekuate edukative që e bëjnë edhe më të vështirë procesin e ndikimit modern edukativ. Këtë vështirësi në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtën gjatësi vale e kanë edhe figurat kryesore profesionale, që në pozicione të caktuara kanë misione edukative familjare apo sociale. Prindi në familje dhe mësuesi në shkollë, punonjësit e institucioneve të tjera edukative nuk janë të qartë se çfarë aftësish morale duhen kultivuar në kohën e tanishme në personalitetin e njeriut modern si qytetar e mbi të gjitha se si mund të ndikohet në mënyrë direkte apo të tërthortë për formimin e tyre tipareve. Kjo ka bërë që shpesh puna edukative me fëmijët në shkollë dhe familje të ketë natyrë kaotike. Kërkesat dhe synimet janë më shumë përzierje parimesh edukative të vjetra ose sajesa intuitive, aliazhe hibride jofunksionuese midis tezave të vjetra të moralit tradicional, mbeturinave të kërkesave të edukimit komunist apo produkte imitimi ekzibicionist të bazuar në parime kakofonike pedagogjike e morale, që më shumë se e ndërtojnë e deformojnë karakterin dhe personalitetin e njeriut. Një gjë duhet të kuptojmë të gjithë, në çdo rol dhe pozicion që jemi - si prind, vëlla, motër, mësues, pedagog, mjek, punonjës social, psikolog: procesi i edukimit të njeriut në shoqërinë moderne të individualizuar nuk është më aq i ngarkuar me parafabrikate e slogane ideologjike dhe edukative, por është bërë ndërkaq shumë i vështirë dhe i komplikuar.

Prandaj sociologët dhe pedagogët e kohës moderne kanë ravijëzuar një koncept edukativ më të thjeshtë, të bazuar në një pragmatizëm moral, i cili synon që të ravijëzohen te qytetari minimalisht dy aftësi bazë, që i duhen për të qenë i orientuar, i suksesshëm në jetë. Sepse sado individuale të bëhet shoqëria jonë, ajo nuk mund t’i shmanget nevojës dhe domosdoshmërisë që kanë njerëzit për të komunikuar me njëri-tjetrin, për të pasur mes tyre lidhje të natyrave intime dhe nevoja të pashmangshme për kooperim social. Sepse njeriu jeton në shoqëri jo si qenie e izoluar, por si individ me dimension social. Natyrisht që të jetë në këtë pozicion normal me veten dhe shoqërinë, është e nevojshme që institucionet e edukimit dhe edukatorët socialë të punojnë për të krijuar atë formim human në familje, shkollë dhe komunitet. Filozofi, sociologu dhe politologu modern amerikan John Rowls duket se e ka zgjidhur këtë formulë duke theksuar se sot është imperative që të punojmë për të krijuar “dy aftësitë morale” të njeriut. Sipas tij, edukimi duhet të synojë në të gjitha hallkat e edukimit që te njerëzit të kultivohen si tipare themelore të personalitetit të tij “sensi i drejtësisë” dhe “sensi i të mirës”.

Në pamje të parë duken si gjëra të thjeshta, por në thelb ato janë vlera morale sintetike, të përbëra, që në kuintesencën e tyre kanë të materializuar shumë vlera të tjera. Nuk mund të normalizohet shoqëria, nuk mund të funksionojë si duhet demokracia shqiptare dhe morali i saj, nëse te njerëzit tanë në familje, shkollë, administratë, komunitet e kudo, në jetën publike dhe sjelljen private nuk kultivojmë një “sens drejtësie”. Kjo do të thotë se tashmë të gjithë duhet të synojmë të edukojmë njerëz me aftësi qytetare për të zbatuar principet e drejtësisë politike në shoqëri. Pa këtë ndjenjë konsensuale, të përgjithshme, sunduese te njerëzit tanë është e pamundur të funksionojë shoqëria si sistem social i përbërë. Pa ndjenjën e drejtësisë si veprim organik i çdo njeriu si qytetar është e pamundur të krijohen pastaj kushtet që njerëzit të lidhen mes tyre përmes nevojës së kooperimit social.

Por krahas këtij tipari është me rëndësi që kudo të krijojmë te çdo njeri sensin e orientimit organik drejt së mirës, duke bërë atë tipar të qëndrueshëm të personalitetit si qytetar. Kur themi të edukojmë nxënësit, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët me ndjenjën dhe konceptin e së mirës, nuk është fjala për konceptime metafizike të saj sesa më shumë për disa tipare të mënyrës së sjelljes së njeriut modern. Kjo ka të bëjë me vlerën e jetës njerëzore. Pa dyshim në skalitjen e këtyre tipareve të qytetarit është e domosdoshme, e dobishme që të angazhohen edhe doktrinat fetare, filozofike dhe morale, institucionet e tyre specifike, ndikimi i të cilave, për fat të keq, në shoqërinë tonë është fare i ulët. Sepse shoqëria ka nevojë, nevojë kanë dhe edukatorët e çdo niveli, duke filluar që nga politikanët që “sensi i drejtësisë” dhe i “së mirës” duhen zbërthyer konceptualisht dhe pastaj të bëhen module organike të punës edukative për familjen, shkollën dhe të gjitha institucionet e tjera të edukimit. Domethënë ne si shoqëri tashmë kemi nevojë urgjente, sipas mendimit tim, që të ndryshojmë konceptin e vjetër të edukimit dogmatik dhe moralizues të së kaluarës, me të cilin kemi vlerësuar personin e moralshëm. Paradigmat etike të vlerësimit moral të së kaluarës ndihen ende në konceptimet vlerësuese që shpesh bëjmë edhe për njeriun e ditëve tona, pa llogaritur se koha ka ndryshuar dhe njeriu tashmë është bërë tjetër njeri. Pavarësisht konfondimeve dhe keqkuptimeve që ka për vlerësimin e njeriut të moralshëm, të suksesshëm, një gjë është e vërtetë: shoqëria në të cilën jetojmë është konceptualisht, ontologjikisht dhe empirikisht krejt tjetër. Ketmanët moralë me natyrë sociale gjithnjë e më shumë po e humbasim forcën e ndikimit, sepse është zbehur shumë moraliteti social si diçka që vjen nga lart dhe po zgjerohet së tepërmi baza dhe hapësira e moralitetit individual, aftësia e njeriut për të pasur konceptin e vet praktik, individual, të përveçëm për atë që është e mirë apo e keqe, e moralshme apo e pamoralshme. Në shoqërinë tonë, që tashmë ka si ideologji të sajën pragmatizmin, vlerësimin mbi gjithçka të asaj që të shërben në jetën tënde, që është e dobishme dhe të sjell sukses, është e vështirë të kërkosh kodifikime morale me natyrë të gjerë sociale. Në këtë kontekst, të jesh i moralshëm sot nuk do të thotë që të mos jesh i fortë, ambicioz, i renditur në punë, me mendim të qartë agresiv për progresin, individualist në një masë gjithnjë e më të madhe.

Në të vërtetë, në kohën moderne më shumë se sa flitet për shoqëri morale flitet për shoqëri me drejtësi. Në vend të njeriut të moralshëm po synohet qytetari që duke kristalizuar tiparet e qytetarisë moderne është njeri i drejtë, që zbaton rregullat dhe ligjet e shtetit pa pasur nevojë për epitete morale pasive shtesë, që nuk i sjellin dobi as atij, as shoqërisë. Në kohën tonë parimet e vjetra morale nuk funksionojnë. Koha kërkon tjetër gjë. Kjo do të thotë se duhet të ndryshojmë konceptin dhe synimet e edukimit moral, strategjinë, taktikën, praktikën e edukimit të njeriut, duke synuar dy gjëra të mëdha që i duhen kohës sonë. Së pari, të synojmë që të edukojmë njeriun jo me parime dhe vlera morale, që nuk i shërbejnë atij, kohës dhe shoqërisë moderne, si dhe të ngulim këmbë që të formojmë kushtet morale të formimit qytetar të çdo njeriu individualisht me parime dhe norma të qytetërimit universal. Në këtë botë njerëzore të integruar, të globalizuar ajo për të cilën kemi nevojë është formimi i njeriut me standarde morale të barabarta dhe vlerat universale të qytetërimit. Së dyti, paralelisht me formimin qytetar duhet të punojmë skalitjen e tipareve morale që i përshtaten kohës dhe njeriut modern (duhet kujdes në përdorimin dhe pretendimin për aq shumë humanizëm, solidaritet, miqësi, fqinjësi etj.), krijimit të qytetarit me “shpirt drejtësie”.

Është koha e duhur që të përqendrohemi në këtë doktrinë morale, që ti shërbejë efektivisht shoqërisë dhe formimit qytetar të njerëzve tanë. Krijimi te njerëzit tanë i koncepsionit dhe veprimit si qytetarë me sens organik drejtësie dhe mirësie është një proces më shumë filozofik, psikologjik dhe politik dhe fare pak me fondament moral. Procesi i edukimit qytetar, formimi i sensit të drejtësisë morale që nga fëmija i kopshtit deri tek i moshuari është detyrë prioritare e shoqërisë sonë, kusht i lehtësimit të procesit universal të integrimit të njerëzve tanë në qytetërimin, që tashmë universalizohet pa kthim. Formimi qytetar dhe ndjenja e drejtësisë njerëzore (në të cilën janë të shkrira në përputhje me kohën dhe në masën e nevojshme humanizmi, solidariteti etj.) është një proces më shumë politik sesa moral. Kjo do të thotë se ne kemi nevojë për të edukuar në çdo cep të shoqërisë shqiptare jo njerëz demagogë apo dogmatikë, por qytetarë të vërtetë, që respektojnë vullnetarisht dhe jo nga frika ligjet e vendit, Kushtetutën, të drejtat dhe liritë e njeriut, traditat dhe zakonet më të mira që kemi. Koha kërkon që pikërisht këtu ti përqendrojmë bateritë e edukimit të njeriut e jo të ecim duke u hallakatur kot në shkretëtirat morale, duke u marrë me mekanizmat e ndryshkur edukativë të kohës së shkuar.

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.