Besniku i vërtetë
Besniku iku i heshtur. Vetëm një lajmërim i thatë, tek tuk ndonjë keqardhje, ndonjë psherëtimë aty këtu…dhe kaq. Iku për t’u mbyllur në kullën e tij të letrave, në botën që e kupton dhe e pranon duke u fshehur nga bota që e përqeshi pas krahëve dhe e përkrahu nën zë. Nuk zgjodhi rrugën e largimit pompoz të ish-nënkryetarit, sepse ndoshta do t’I duhej të kthehej me kokën ulur në sofrën që kish përmbysur. Nuk i hyri akuzave e mallkimeve si ish-drejtori i hekurudhave, sepse ndoshta ndonjë ditë do të duhej të ledhatonte atë që kishte goditur aq ashpër. Nuk zgjodhi as rrugën e shumë ikanakëve të tjerë, që sërish u kthyen në folenë e parë. Besniku iku thjesht. Iku duke thënë: po iki. Asgjë më shumë. Pa komente. Pa komente edhe mbi atë për të cilin mund të komentonte shumë. Por ai mbeti besnik edhe në ikjen e tij. Ai i mbeti besnik parimeve të tij, besnik i “kanunit” të tij. Dhe Besniku dha leksionin që askush nuk e ka dhënë deri më sot. Besniku dha mësimin e madh. Mund të ikësh, pa e lënë gozhdën e Nastradinit pas.
Besnik Mustafaj, është i vetmi politikan shqiptar që ka deklaruar publikisht largimin nga politika shqiptare. Në një ambient acid ku gjallon Sali Berisha dhe berishët e tjerë të vegjël, Besniku qëndroi dhe duroi gjatë. Veproi gabim, do të thoshin një pjesë, të qëndronte aty dhe të luftonte për demokratizimin e Partisë Demokratike. Urdhëroni zotërinj, përgjigjet heshtja e Besnikut, rrugën e keni të lirë, provojeni ju. Besniku u përpoq, ne nuk e dimë sa, sepse ai nuk fliste, ose fliste pak, gjithmonë sipas “kanunit” të tij; miku nuk preket. Por mundimi i tij dukej, pafuqishmëria për të ndryshuar gjërat fliste qartë, vetmia po e mbyste. Ata që mund ta dëshironin sërish aty, si miu përballë kobrës, mund të jenë të njëjtët që akuzojnë Ismail Kadarenë pse nuk iu vërsul hapur regjimit të Enver Hoxhës. Nëse sot do të kishim një Kadare më pak dhe një viktimë më shumë, kjo nuk u intereson. Ashtu nuk u intereson edhe internimi politik që iu bë Besnikut. U izolua, u braktis, u sulmua. Metodat e njohura prej vitesh të Berishës dhe “policisë” së tij demokratike. Dhe në një garë të paralajmëruar për t’u humbur, madje edhe në televizion, Besniku do të duhej të duronte talljet dhe ironitë e supermilitantëve të instruktuar. Ndoshta lëkura e tij nuk ishte aq e rregjur dhe e ashpër sa të mund ta kalonte këtë provë. Kështu që nuk u përpoq të ndryshonte çka nuk ndryshohet edhe për disa vjet.
Besnik Mustafaj ka dhënë leksionin më gjigand në politikën lilipute shqiptare. Ka edhe një rrugë tjetër, mund të largohesh me nder. E ka këtë leksion për Neritan Cekën, sot aleat i Berishës, për shumë vite akuzues i tij, madje ministër për të kapur “bandat e Berishës”. Leksioni ishte edhe për Sabri Godon, megjithëse në moshë paksa të shkuar, doli nga dera e politikës dhe po qëndron në dritare. Leksioni duhej dëgjuar, mirë madje edhe nga të mëparëpërmendurit, ish-nënkryetari, Genc Pollo dhe ish-drejtori i hekurudhave, Ferdinand Xhaferri. Pastaj ka dhe shumë të tjerë, që e kanë akuzuar e prapë janë kthyer si djemtë plangprishës, madje duke kërkuar edhe poste e ofiqe, e duke pranuar “dorën e ngrohtë” të Berishës (nuk e di pse s’më ngjisin pa thonjza fjalët dora e ngrohtë e Berishës). Por është leksion edhe për Lefter Xhuvelin, ministrin e përjetshëm të mjedisit. Vlen edhe për avokat Ngjelën, anëtari dhe kryetari i shumë partive. Ka ky leksion paragrafe edhe për të majtën. Për ata që janë kthyer sot si dikur komunistët e ’41, këta janë socialistët e ’91. Ata të dikurshmit kërkonin një shishe qumësht më tepër, këta të sotmit një mandat më tepër. Besnik Mustafaj u tërhoq nga rrëmuja duke preferuar të mos e zbonin. Nuk ka dashur t’I qeshnin në fytyrë, kur t’I thoshin “me dhimbje”: s’e paske emrin në listë, megjithëse është ndër të paktët emra që nderonte karrigen e deputetit për PD-në.
Besnik Mustafaj ishte ndër të shumtët që u përpoq t’I binte murit me kokë, dhe po si të shumtët “theu” kokën e tij. Muri Berisha as nuk është ciflosur nga dhjetëra të rëna e të goditura prej 1991 e deri më sot. Përkundrazi, të shumtët e atyre të shumtëve që kanë guxuar të përballen me të, janë rikthyer me pendesë dhe sot bëjnë avokatin e Berishës dhe e bëjnë me një patos aq të zjarrtë sa nuk mund ta besosh ndonjëherë se janë po ata që me të njëjtin patos janë munduar të na mbushin mendjen për diktatorin Berisha. Por këta treguan shumë thjeshtë se nuk para u kanë interesuar parimet e së djathtës. Më shumë u ka interesuar se çdo të fitonin dhe sa shpejt do të përfitonin. Nuk u hoqën mërishëm mënjanë si Aleksandër Meksi, duke mos bërë balerinën kur duhej ngjitur në ring. As nuk u pozicionuan në “bahçenë” e tyre si Dashamir Shehi, me kokën gjithmonë ulur para ligjit, por me zërin lart për atë çka përfaqëson. Larvat nuk e kanë lënë përherë Partinë Demokratike të marrë frymë lirisht. Dhe tani është infektuar edhe Partia Socialiste. Prej katër vjetësh prurjet e reja në të dyja partitë kanë sjelljet, shprehitë, fjalitë, mimikën dhe humorin e kryetarëve respektivë. Janë kryetarëzuar dhe nuk mundet më të ndryshojnë…
Besnik Mustafaj nuk e bënte dot marionetën. Dhe iku. Pa gjëmime e bubullima kundër Zeusit. Pa paralajmërime se do të shkonte të bënte aleancë me Hadin. Iku thjesht dhe qetë, si një besnik i vërtetë edhe në rrënimin e tij politik. Politika shqiptare nuk është për njerëz si Besnik Mustafaj.
Arkivuar nën: komente | 0 Komente »
