Ruzhdia, një alibi e rrëzuar!
Kronikat e lajmeve të një dite më parë ishin mbushur me një vizitë që Edi Rama kishte bërë në një zonë të përmbytur andej nga Korça. Me retorikën e tij sociale, shefi i opozitës kërkoi t’u mbushte mendjen banorëve të atjeshëm se përmbytja e fushës së Maliqit kishte ardhur si pasojë e moshapjes së kutive. Se si pasojë e moshapjes së kutive, kishte ndodhur dhe përmbytja e Shkodrës, dhe se çdo e keqe sipas tij, na paska si pikënisje pikërisht këtë. Fshatarët, që u ishin përmbytur tokat, përgjigjeshin vetëm me një fjalë: “Po mirë, tani si i bëhet?”, dhe ngrinin supet kur dëgjonin kreun e opozitës që zgjidhje për përmbytjen ishte vetëm hapja e kutive. Një politikë që pakkush mund ta marrë vesh se çfarë lidhjeje kanë parregullsitë në zgjedhje, me fjala vjen, kanalet ujitëse apo mënyrën e kompensimit. Është pak e çuditshme të dëgjosh një kryetar opozite, që për çdo problem social, ja faturon fajin humbjes së tij në zgjedhje. Aq shumë po keqpërdoret kjo çështje nga opozita, sa ka rrezik se në ndonjë nga konferencat e shtypit do të dalë ndonjë eksponent i PS-së (nga këta të rinjtë sidomos), dhe fajin për homofobinë që ka plasur andej nga Lezha, pas një deklarate të një personazhi te “Big Brother” se është homoseksual, do ia vënë mungesës së vullnetit për hapjen e kutive.
Rasti i Ruzhdies rishfaqi dhe një herë bindjen se çështja e zgjedhjeve i takon vetëm drejtësisë, dhe se gjithë tymnaja e ngritur nga opozita nuk është gjë tjetër, vetëm një propagandë boshe për të mbajtur tendosur politikën e destabilizimit të vendit. U pa se sa lojtar i dobët në fushën e politikës është kryetari i PS-së, që ha çdo “karrem” që i shitet nga kreu i mazhorancës. Ky rast tregoi se në tryezën e shahut politik nuk është e nevojshme të përdorësh citate sociale pa vlerë për të arritur synimin, por t’i paraprish në radhë të parë lëvizjes së kundërshtarit. Por Rama, kur është fjala për të hedhur poshtë marrëveshjen për ujërat apo ligjin e lustracionit, e sheh si të besueshme Gjykatën Kushtetuese, por kur vjen puna që ky institucion të shprehet nëse ka të drejtë apo jo në kërkesën e saj opozita, e sheh këtë institucion si “lehtësisht të manipulueshëm nga mazhoranca”.
Fituesi i zgjedhjeve e hodhi vetë në tregun politik kutinë e këtij fshati, kur tha se “në rast se do të ishte numëruar ajo kuti, unë do të merrja dhe një mandat tjetër në Fier”. Dhe jo pa qëllim. Kryeministri e dinte mirë që kjo kuti votimi ishte nën hetim nga prokuroria dhe se kishte fakte për parregullsi të dukshme në të, pas tërheqjes së komisionerëve. Është krejt normale që në rast se tërheq komisionerët, ata që mbeten “gjejnë shesh, e bëjnë përshesh”. Dhe tërheqja e socialistëve nga QV e fshatit Ruzhdie i solli fitoren e një mandati të PS-së në Fier. Kutia u cilësua e pavlefshme nga ana e kolegjit zgjedhor, pra nuk pati pasojë juridike në të, ndërsa prokuroria filloi hetimet dhe hapi kutinë.
Ka shumë të ngjarë që këtë informacion Rama, megjithëse i interesuar, mos ta ketë pasur, sepse menjëherë sapo u bë publik fakti, vuri në lëvizje sejmenët “për të zbardhur të vërtetën”, që tashmë në fakt ishte zbardhur nga organet e hetimit. Dokumentet që iu servirën nga prokuroria u botuan në media dhe jo vetëm kaq, por me këto dokumente iu drejtua Strasburgut duke i tundur përpara eurodeputetëve të atjeshëm, por pa e kuptuar se kështu i dha një tjetër shtysë idesë se të drejtën për të hapur kutitë e ka vetëm prokuroria dhe askush tjetër. Mazhoranca nesër, kur t’i riserviren ato dokumente, do e adresojë gishtin te prokuroria, që ishte dhe nismëtarja e këtij hetimi. Me të drejtë mazhoranca do e adresojë sërish çështjen te gjykata, e cila e shpalli të pavlefshme këtë kuti, duke shmangur kështu pasojat juridike. Pra, i gjithë aksioni i opozitës kthehet në një flluskë sapuni dhe pika e rëndesës mbetet sërish sistemi i drejtësisë. Dita-ditës laku po shtrëngohet dhe Ramës e të tjerëve s’u mbetet zgjidhje tjetër. Argumenti se prokuroria ka hetuar, nxjerr blof dhe Gramoz Ruçin, i cili deklaroi se në rast se Berisha figuron fitues në Ruzhdie, ai do të dorëzonte mandatin. Në fakt, Berisha nuk tha asnjëherë se zgjedhjet në këtë fshat ishin të rregullta, por nga ajo që rezultoi pas numërimit nga prokuroria, ai rezultoi fitues. Tashmë s’i mbetet gjë tjetër, vetëm se të mbajë fjalën që dha në Kuvend. Dhe loja që Ruçi po bën me kartat e identitetit nuk është aspak e ndershme. Ato karta s’ka nevojë t’i paraqesë nëpër media, por t’i denoncojë në prokurori, dhe në rast se janë false, atëherë gjendet kollaj burimi se nga kanë dalë. Ose prokuroria duhet të nisë hetimet ndaj Ruçit për moskallëzim krimi.
Në fakt është e qartë se Ramës nuk i intereson aq shumë transparenca e zgjedhjeve. Ai kërkon që ato të hetohen nga një komision parlamentar, ndërkohë që shmang institucionet e hetimit. Pra, prokurorët, që e kanë zanat këtë punë, do i zëvendësojë me prokurorët e tij, që janë Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi, Besnik Bare etj. E gjitha kjo nuk bëhet më thjesht për të justifikuar humbjen e Ramës, por në mungesë të argumenteve të të bërit politikë kërkon të jetë në qendër të vëmendjes. Argumentet ligjore, por edhe politike, deri diku i kanë rënë me kohë poshtë dhe tashmë s’i mbetet tjetër, vetëm se të merret me fjalë boshe. Janë një mënyrë e mirë për të krijuar alibinë e një tjetër humbjeje, atë të zgjedhjeve të ardhshme lokale, e cila do ta çonte drejt rrokullimës partinë më të madhe të opozitës, dhe kjo do të ishte vërtet fatkeqësi për demokracinë në këtë vend.
Arkivuar nën: komente | 0 Komente »